Rajoni

Nis zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj industrisë serbe të naftës!

Shtetet e Bashkuara nisën zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, për shkak se Rusia është pronarja kryesore e kompanisë, siç raportoi Radio Televizioni i Serbisë. Në një deklaratë lidhur me sanksionet, NIS-i u shpreh se “si më parë, përparësitë mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte, si dhe ruajtja e stabilitetit social të punonjësve”.

NIS-i ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa pompat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës.

Kjo kompani paralajmëroi se nëse kartat e huaja për pagesë pushojnë së funksionuari, pagesa në pikat e karburantit do të jetë e mundur me karta vendase, me para në dorë, si dhe me metodën “IPS show”.

Në lidhje me shitjen me shumicë, kompania deklaron se është e gatshme t’i përmbushë “të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj partnerëve të biznesit, duke përfshirë klientët e korporatave dhe klientët e mëdhenj”.

Kartat e pagesës së klientëve të korporatave po funksionojnë pa probleme.

NIS-i shtoi se në bashkëpunim me partnerët, qeverinë e Serbisë dhe aksionerët, po punon për ta tejkaluar këtë gjendje.

Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar. Kjo për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft e me qëllim parandalimin e Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Zbatimi i sanksioneve ishte shtyrë tetë herë, e fundit deri dje. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, vuri në dukje se Beogradi do ta diskutonte me Rusinë çështjen e sanksioneve kundër industrisë serbe të naftës.

Nuk kemi më për çfarë të flasim me amerikanët. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë punën e tyre dhe Europa do të mbështesë sanksionet amerikane, tha Vuçiç.

Në shtator, NIS-i paraqiti një kërkesë të ndryshuar te autoritetet amerikane për heqjen nga lista SDN (Shtetas të Përcaktuar Specialisht), që siç deklaruan ata, është një proces i gjatë e kompleks. Kërkesa fillestare u dërgua më 14 mars të këtij viti.

Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, por ende është në pronësi të shumicës së kompanive ruse. Gazpromi doli nga NIS-i në shtator e një kompani tjetër e kontrolluar nga Gazprom Intelligence nga Shën Pjetërburgu u bë një nga pronarët kryesorë.

Intelligence Joint Stock Company u kthye në pronare e 11.3% të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Bursës së Beogradit, më 21 shtator.

Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS ende e mban Gazprom Neft, një degë e Gazpromit, ndërsa shteti serb ka 29.9%. Aksionet e mbetura mbahen nga aksionerë të vegjël.