U bë goxha kohë që nuk shikoj një film të ri të mirë, aksion, komedi, pak thriller dhe shumë bass në sfond. Por i parashikueshëm ama.
Leonardo di Caprio dhe Sean Penn kanë sjellë në bashkëpunim me regjisorin Paul Thomas Anderson filmin më të ri të tyre i cili zgjat plot 2 orë e 44 minuta “One battle after another”.
Filmi nis mjaft dhunshëm dhe me një dozë të lartë ‘perversiteti dhe erotizmi’ që vjen epshndjellësja Teyanna Taylor, e cila e perfeksionon rolin e saj dhe ‘zhduket’ shumë shpejt.
Leo di Caprio është një yll i kinemasë dhe ai e rrëmben vëmendjen pothuajse gjithmonë pavarësisht rolit, por këtë rradhë Sean Penn nuk ‘lëshon rrugë’. Në rolin e një koloneli pervers, arrogant dhe karrierist, ai shkëlqen dhe të bën t’a urresh në të njëjtën kohë.
Filmi tregon historinë e Bob Ferguson (Leonardo DiCaprio), një ish-revolucionar i lodhur dhe jashtë sistemit, i cili jeton me vajzën e tij adoleshente, pas një të shkuare plot beteja politike. Kur një armik nga e kaluara, Koloneli Steven “Lockjaw” (Sean Penn), ‘rizgjohet’ dhe vajza e Bob zhduket, ai detyrohet të kthehet në ‘skenë’, të përballet mes sakrificës personale dhe përkushtimit si aktivist social e politik. Kjo dramë politike ndërthuret me elemente satirike, komike, thriller me momente emocionalisht të forta.
Megjithëse filmi mund të konsiderohet i gjatë, plot 3 orë, ato shndërrohen në 30 minuta. Filmi nuk të lë asnjë çast të mërzitesh, ka një aksion klasik që të kujton Sylvester Stallone dhe Rambo, risjellë në mënyrë tejet satirike në detaje.
Ama është i parashikueshëm, në skenarin e përgjithshëm ka pak vend për supriza, madje herë pas herë regjisori ‘tallet’ me shikuesin duke i sjellë momente të pabesueshme, që të bëjnë të qeshësh me të madhe. Gjithashtu, në disa raste, filmi e vendos mesazhin politik shumë afër, ‘në fytyrë’, që mund të prishë pak ekuilibrin mes artit dhe trajtimit politik të çështjes. Filmi ka një drum-base që të shoqëron gjatë gjithë kohës, një buçitje në vesh, por jo shqetësuese.
‘One battle after another’ ka ndoshta një nga skenat (car chase) me ndjekje makine, nga më të bukurat e realizuara ndonjëherë në kinematografi. Një kombinim mes aksionit dhe westernit, kjo skenë është pika kulminante e 3 orëve film, e cila ta shpërblen qëndrimin tënd ulur dhe mpirjen e këmbëve e të shpinës. Kjo skenë është si një lloj shpagimi për gjithë kohëzgjatjen e filmit.