Një ilaç kundër kancerit, i miratuar nga Food and Drug Administration (FDA), mund të ndalojë përparimin e Sëmundjes së Parkinsonit. Shkencëtarët kanë zbuluar proteinën që ndihmon përhapjen e Parkinsonit në tru dhe tashmë ekziston një ilaç që mund ta bllokojë atë. Sipas studimit, është identifikuar një bashkëveprim kyç mes dy proteinave në sipërfaqen e qelizave, Aplp1 dhe Lag3, që mundëson përhapjen e proteinave toksike alfa-sinukleinë.
Kjo përhapje është një nga shenjat kryesore të Parkinsonit dhe çon në përkeqësimin progresiv të sëmundjes, e cila prek mbi 8.5 milionë njerëz në mbarë botën. Duke kuptuar mënyrën se si këto proteina bashkëpunojnë për të transportuar grumbujt e dëmshëm mes neuroneve, studiuesit kanë identifikuar një objektiv të saktë për të ndërprerë këtë proces përpara se të dëmtohen më shumë inde të shëndetshme të trurit. Zbulimi bëhet edhe më i rëndësishëm pasi një ilaç imunoterapie, nivolumab/relatlimab, i përdorur aktualisht për trajtimin e kancerit, arrin të bllokojë këtë ndërveprim proteinik.
Në modelet laboratorike, synimi i proteinës Lag3 uli përhapjen e proteinave toksike deri në 90%. Ky zhvillim hap rrugën që medikamente ekzistuese dhe tashmë të testuara për sigurinë të përdoren edhe për trajtimin e Parkinsonit dhe Sëmundjes së Alzheimerit, duke kaluar nga menaxhimi i simptomave drejt ndalimit të përparimit të sëmundjes dhe duke ofruar shpresë për miliona pacientë.
Ndërkaq, shkencëtarë nga Koreja e Jugut kanë arritur një zbulim të rëndësishëm në luftën kundër kancerit, duke treguar se qelizat kancerogjene nuk kanë gjithmonë nevojë të shkatërrohen, por në disa raste mund të rikthehen në gjendje normale. Duke përdorur modele dixhitale të quajtura “binjakë digjitalë” të rrjeteve gjenetike, studiuesit simuluan sjelljen e qelizave kancerogjene dhe u fokusuan jo te shkatërrimi i tyre, por te gjetja e pikave kyçe të kontrollit që ndikojnë në funksionimin e tyre.