Pasò Sport

“Një kundërshtar i një niveli shumë të lartë…”/Pas duelit me Anglinë, Sylvinho: Jam i zhgënjyer, ja çfarë nuk shkoi

Shqipëria është mposhtur në ndeshjen e parë të Eliminatoreve të Botërorit 2026, duke humbur 2-0 në Wembley përballë Anglisë. Në studio me Glenti Nallbanin, Lorenc Jeminin, Edi Manushin, Gëzim Sinematin dhe Ervin Fakaj në “Pasó| Angli – Shqipëri” pas përfundimit të ndeshjes, bënë edhe një analizë rreth lojës që bëri Kombëtarja jonë dhe realizuan edhe lidhje direkte nga Wembely me Berat Gjimshitin, Armando Brojën, Jasir Asanin dhe trajnerin Sylvinho.

Trajneri i Kombëtares shqiptare u shpreh se ekipi i tij bëri mirë në pjesën e dytë, por çdo gjë përfundoi pas golit të dytë, duke shpjeguar se çfarë nuk shkoi në këtë sfidë.

Ne kemi studiuar, e kemi parë Anglinë, një nga ekipet më të forta në botë, kanë dy mbrojtës qendre të mëdhenj, të fortë, u munduam me Uzunin të gjenim hapësirë nga krahët se e pamë që në qendër nuk hynim dot, as ne e as ekipe të tjera. Ishte e vështirë se janë skuadër shumë, shumë e fortë, te goli i dytë mbaroi ndeshja, ndërsa deri atëherë ishim aty. U përmirësuam në pjesën e dytë. Këtu është një fushë e vështirë, ishte shumë e vështirë, por mendoj se kemi bërë atë që menduam dhe arsyetuam.

Kjo është vetëm ndeshja e parë. Nuk është e thjeshtë të vish në Wembley e të fitosh, ne punojmë për këtë. Jam i zhgënjyer por kjo është një skuadër me lojtarët më të mirë në botë, është e vështirë. Unë jam krenar për të gjithë lojtarët që shkuan në fushë. Me gjithë respektin, nëse nuk hyn në fushë i organizuar, mund të përfundosh keq, ndoshta pëson 5 gola në pjesën e parë. Në pjesën e dytë luajtëm pak më mirë, ishim në lojë. Në momentin që u fut Broja që ka tre muaj pa luajtur, bëri mirë, aty mund të ishim afruar pak me barazimin por ata bënë të dytin dhe fituan. Nëse nuk e përgatit ndeshjen në 45 minutat e parë, mund të shkosh keq.

Ne kemi përgatitur dalje me presing dhe kishim vështirësi për të bërë 60-70 metra përpara, vetëm Uzuni mund ta bëjë këtë, të sulmojë hapësirat. Por mendoj se kemi gabuar pasimin e parë për të dalë nga zona. Në momentin që del nga presingu, mund të gabosh, ne gabuam pasimin për daljen. Nga ana tjetër është një kundërshtar i një niveli shumë të lartë, pashë një ekip teknikisht fantastik, shumë, shumë i fortë.

Po, ishte shumë e vështirë për lojtarët e krahut. Aliji nuk po luan si mbrojtës krahu, po luan në qendër te Dinamo, por te ne e ka bërë shpesh këtë rol. Ka bërë një ndeshje shumë të mirë në aspektin fizik, teknik. Edhe Balliu, ai vjen pa luajtur shumë, por duhet t’i bënte ballë Rashford, që është i vështirë. Zhvilloi një ndeshje të mirë”, tha Sylvinho për DigitAlb.