U mbyll siç nisi, mes kaosit, e fundit seancë plenare për këtë vit dhe që zgjati rreth 1 orë. Para fillimit të punimeve, deputetët e opozitës kishin hyrë në sallë duke “zaptuar” karriget e kabinetit qeverisës. Gardistët u përpoqën t’i largojnë por opozitarët u përplasën fizikisht. Demokratët synuan të ndalonin betimin e Endri Shabanit si Avokat Populli, i zgjedhur me votat e PS-së dhe me firmat e PD-së. Por, Shabani u betua dhe u largua duke puthur me dorë opozitarët.
Ndërsa Sali Berisha fliste në foltore, demokratët përplaseshin me gardistët, si dhe ndezën flakadanë e synuan të shënjestronin kryeparlamentarin Niko Peleshi duke hedhur drejt tij ujë e kartonët e votimit. Në sallë kërkuan edhe Belinda Ballukun, për të cilën SPAKu kërkon autorizim për ta arrestuar. Për shkak të situatës kaotike, Peleshi kërkoi dhe përjashtimin e Klevis Balliut e të Flamur Nokës. Maxhoranca reagoi dhe kërkoi votimin e rendit të ditës, pa debat.
Më herët në sallën e Kuvendit, Sali Berisha i bëri thirrje maxhorancës të dorëzojë ata që i quajti “kriminelë”, çka sipas kryedemokratit është e vetmja mënyrë që “Kuvendi të rikthehet në normalitet”. Po ashtu, kërkoi praninë e kryeministrit Rama.
Pas mbylljes së seancës, Berisha u shpreh:
Balluku nuk vjen në Kuvend të informojë për pazarin, siç pata njoftuar tre ditë më parë, se Rama ndodhej në zgjedhjen më të vështirë të jetës së tij, mes Lindës dhe Lubisë. Mbrëmë ka vendosur të mbajë Lindën e të lëshojë Belindën. Parlament me ata të cilët zbatojnë moton: “Vidh dhe ik” nuk ka e nuk mund të ketë. Ligji dhe vetëm ligji duhet të mbizotërojë!
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla foli për gazetarët e ironizoi Berishën duke thënë se sa herë ka Kosova një festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri.
E sotmja nuk është lajm i ri, asgjë e re nga fronti i lindjes. Po kujtoja plot 8 vite më parë, e njëjta pamje në Kuvendin e Shqipërisë. Atë ditë zgjidhej Prokurori i Përgjithshëm, sot bënte betimin Shabani, i propozuar me firmat e PD-së, mes tyre udhëheqës të lartë nga ajo çfarë ka mbetur.
E njëjta situatë pas 8 vitesh. Sulmuan Avokatin e ri të Popullit edhe pse vetë e kanë firmosur e propozuar, populli shqiptar ka një shprehje të bukur, “Qentë le të lehin, karvani ecën para”. Karvani i Shqipërisë europiane ecën para. Sa herë që Kosova ka një festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri, dëmi i imazhit të sotëm lidhet me gëzimin e djeshëm për Kosovën.