Auto & Moto

Një tjetër Panda është ‘rrugës’, reagon Fiat!

Panda e vjetër i bashkohet Grande Pandas dhe një model i ri është në përgatitje. Grande Panda dhe Panda ndajnë të njëjtin emër, por kanë shumë pak të përbashkëta. Panda aktuale është në treg që nga 2011 dhe vazhdon të mbetet një sukses, pavarësisht ardhjes së modelit të ri. Ky automjet i vogël, i lirë dhe shumë praktik vazhdon të shitet mjaft mirë, duke përfunduar vitin e kaluar si makina më e shitur në Itali, me 100 mijë njësi të shitura.

Grande Panda nuk mund ta zëvendësojë plotësisht modelin origjinal. Për këtë arsye, Panda e zakonshme do të mbetet në treg edhe për disa vite, me gjasë deri në vitin 2030, kur Fiat do të prezantojë një gjeneratë të re të modelit. Stellantis është plotësisht i vetëdijshëm për suksesin e modeleve të vogla të Fiat, ndaj nuk është çudi që ka dhënë dritën jeshile për gjeneratat e reja të Fiat 500 dhe Panda. Të dyja do të jenë të disponueshme si hibride dhe elektrike. Kreu i Fiat-it, Olivier François, ka deklaruar se modeli i ardhshëm urban do të ketë lidhje të ngushta me Grande Panda-n, e cila teknikisht i përket segmentit B.

“Pres që dizajni i modelit të ri të jetë më i afërt me Pandën origjinale të viteve ’80. Kur të shihni Grande Panda dhe Panda-n e re pranë njëra-tjetrës, do të duket si një arushë e madhe me një arushë të vogël. Do të jetë vërtet e këndshme. Nuk do të jetë thjesht një version më i vogël i Grande Panda-s, por do të ndajë elemente të përbashkëta, rrënjë të njëjta dhe siluetën ikonike,”-tha ai për britaniken Autocar. Panda e re do të përdorë platformën STLA City, të njëjtën që përdor Fiat 500e. Deri atëherë, dy modelet aktuale; Panda dhe Fiat 500 do të vazhdojnë të prodhohen. Fiat gjithashtu ka plane për modele të reja, por sipas politikës së re të kompanisë, asnjë model i ri Fiat nuk do të jetë më i gjatë se 4.5 metra.

Tregu i automjeteve të reja në Bashkimin Evropian u rrit lehtë vitin e kaluar, kryesisht për shkak të interesit më të madh të blerësve në dhjetor. Në vitin 2024 u regjistruan për herë të parë 10.6 milionë makina, 0.8 për qind më shumë se një vit më parë, njoftoi shoqata tregtare ACEA. Vetëm në muajin dhjetor, qytetarët e BE-së blenë 910 mijë makina, 5.1 për qind më shumë se 12 muaj më parë. Peshën më të madhe, nga një e treta e tregut, e zënë makinat me benzinë, pak më përpara se hibridet.