Një moment prekës për shumë dashamirës të kafshëve: për arsye mjekësore çifti i vetëm i pandave gjigante të strehuara në Francë u largua nga kopshti zoologjik “Beauval”, për t’u kthyer në Kinë më herët se sa ishte planifikuar.
Dy arinjtë, Huan Huan dhe Yuan Zi, të moshës 17 vjeç, u vendosën në dy arka të bardha me shënimin “Rrugë të mbarë!” dhe hipën me radhë në një kamion që mbante imazhin e tyre.
Vetëm dy panda, të lindura nga bashkimi i tyre, kanë mbetur tani në “Beauval”. Largimi i nxitur nga insufiçienca renale e Huan Huan, ngjalli emocione mes shumë admiruesve. Më shumë se 200 njerëz përballuan të ftohtin dhe erën për të ndjelur paraqitjen e tyre të fundit publike.
Çifti i pandave, dhuruar Francës si gjest diplomatik nga Pekini në vitin 2012, u nis nën shoqërimin e policisë për në aeroportin “Roissy”.
Disa minuta para nisjes, pandat u shfaqën për herë të fundit para kujdestarëve të tyre që kishin ardhur për t’i thënë lamtumirë. Ministri francez i deleguar për Tranzicionin Ekologjik, Mathieu Lefèvre dhe një zyrtar nga ambasada e Kinës në Paris u caktuan për t’i dhënë një lamtumirë të fundit.
Që nga mbërritja në Francë me një avion të dekoruar me imazhin e tyre, këto panda krijuan një eufori të vërtetë. Ato kanë kontribuar në suksesin e kopshtit zoologjik, i cili mirëpriti dy milion vizitorë dhe gjeneroi 113 milion euro të ardhura në vitin 2023.
Pandat lindën tre këlyshë: një mashkull në vitin 2017, që dy vjet më parë u nis për në Kinë, si dhe binjake që do të qëndrojnë në kopshtin zoologjik “Beauval”, të paktën deri në janar 2027.
Këta arinj të mëdhenj zgjojnë simpati në të gjithë botën. Në natyrë, ato gjenden vetëm në Kinë, ku përdoren si mjet ndikimi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si pjesë e “diplomacisë së pandave”, Pekini jep hua disa panda jashtë vendit për të forcuar marrëdhëniet e tij me vende të caktuara.
Jashtë Kinës, vetëm rreth 20 kopshte zoologjike strehojnë këta arinj barngrënës.