Prova të reja tregojnë se njerëzit u kthyen për të jetuar midis rrënojave të Pompeit pasi qyteti i lashtë romak u shkatërrua nga një shpërthim vullkanik. Arkeologët besojnë se disa të mbijetuar që nuk kishin mundësi të fillonin një jetë të re diku tjetër u kthyen dhe mund t’u jenë bashkuar të tjerëve që kërkonin një vend për t’u vendosur.
Pompei ishte shtëpia e më shumë se 20,000 njerëzve para se të shpërthente mali Vezuv në vitin 79 pas Krishtit, duke varrosur dhe ruajtur pjesën më të madhe të qytetit, para rizbulimit të tij në shekullin e 16-të. Ka pasur spekulime të mëparshme se të mbijetuarit ishin kthyer në rrënoja, dhe arkeologët në vend thanë në një deklaratë të mërkurën se teoria duket se është konfirmuar nga kërkime të reja.
“Falë gërmimeve të reja, pamja tani është më e qartë. Pompeii pas vitit 1979 rishfaqet, më pak si qytet sesa si një grumbullim i pasigurt dhe gri, një lloj kampi, një favelë midis rrënojave ende të njohura të Pompeit që dikur ishte”-tha drejtori i sitit, Gabriel Zuchtriegel. Arkeologët thanë se vendbanimi informal vazhdoi deri në shekullin e 5-të. Vendi tani është një atraksion turistik me famë botërore dhe ofron një dritare në jetën romake.
Ndërkaq, pas 2000 vitesh fshehur nën shtresa të mëdha hiri dhe shkëmbi vullkanik, një zbulim madhështor është bërë në qytetin antik romak të Pompeit. Arkeologët kanë zbuluar një kompleks banjash private, që konsiderohet ndër më të mëdhatë ndonjëherë të zbuluara atje. Ky vend magjepsës përfshin dhoma të nxehta, të ngrohta dhe të ftohta, një pishinë të madhe dhe vepra arti të jashtëzakonshme. Ky kompleks banjash, që ngjan me një spa moderne, ndodhet në qendër të një rezidence madhështore të zbuluar gjatë dy viteve të fundit. Rezidenca, e cila duket se i përkiste një individi shumë të pasur ndoshta Aulus Rustius Verus, një politikan i njohur i Pompeit është një nga gjetjet më të rëndësishme në qytetin antik.