Ish-përfaqësuesja e Izraelit në Eurovision, këngëtarja Noa Kirel, ka reaguar ndaj presionit që po përjeton vendi i saj për pjesëmarrjen në festivalin e ardhshëm. Artistja, e cila u rendit e treta në vitin 2023 me këngën “Unicorn”, theksoi se Eurovisioni duhet të mbetet një ngjarje muzikore dhe jo një arenë për çështje politike.
Nuk ka të bëjë me politikën. Nuk ka qenë kurrë kështu dhe nuk duhet të bëhet kështu. Duhet të përqendrohemi te muzika
-u shpreh Kirel, duke shtuar se përvoja e saj në Eurovision ishte një nga momentet më të bukura të karrierës.
Reagimi i saj vjen pasi disa shtete, mes tyre Irlanda, Spanja, Sllovenia, Islanda dhe Holanda, kanë paralajmëruar bojkot të festivalit nëse Izraeli nuk përjashtohet. Ndërkohë, Belgjika dhe Finlanda po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes nga gara.
Këngëtarja shpreson që vendi i saj të mos përjashtohet dhe që vëmendja e festivalit të mbetet te muzika. Eurovisioni i vitit të ardhshëm do të mbahet në maj, në Vjenë.