Nokia ka prezantuar kamerën e parë 5G në botë që ofron transmetim të videos 8K me zë hapësinor dhe dizajn të fuqishëm për përdorim në kushte të ndryshme. Kamera Nokia 360 Camera është pajisja më e re që Nokia prezanton në tregun e kamerave profesionale. Ajo ka aftësinë të transmetojë video live me rezolucion 8K dhe zë hapësinor duke përdorur lidhje me vonesë të ulët, si 5G, Wi-Fi ose Ethernet. Nokia 360 Camera është e orientuar kryesisht për përdorues industrialë.
Versioni me lidhje 5G spikat për qëndrueshmërinë e tij, është i përshtatshëm për temperatura ekstreme dhe është i certifikuar me IP67 për rezistencë ndaj ujit, pluhurit dhe goditjeve. Për më tepër, ajo është e pajisur me sisteme të avancuara të sigurisë kibernetike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe funksionimin e besueshëm. Kjo pajisje funksionon me softuerin Real-time eXtended Reality Multimedia (RXRM) të Nokias, i cili mbështet video 360 gradë, zë 3D OZO dhe ofron mundësi për analiza të avancuara dhe krijimin e realitetit të shtuar.
Sipas Sami Ranta, drejtor i përgjithshëm i RXRM në Nokia, kjo zgjidhje mundëson përmirësimin e proceseve të biznesit për klientët industrialë, duke reduktuar kostot në operacionet në distancë, si mbikëqyrja, trajnimet dhe menaxhimi i operacioneve në terren. Ai gjithashtu theksoi se kamera është e përshtatshme për aplikime në ngjarje sportive dhe argëtuese. Një shembull i përdorimit të kësaj teknologjie është implementimi i saj në minierën më të thellë të Evropës, Pihasalmi në Finlandë, ku përdoret për aktivitete kërkimore dhe trajnim në distancë në bashkëpunim me kompaninë finlandeze Callio Pihajarvi.
Nokia ka arritur një përparim të rëndësishëm në teknologjinë e komunikimit zanor duke pretenduar thirrjen e parë telefonike në botë me tingull tredimensional. Sipas kompanisë, teknologjia më e fundit i ofron telefonuesit përvojë në kohë reale, ku mund të dëgjojë gjithçka qartë në telefon sikur të jetë me personin tjetër. Teknologjia ofron përvojë 3D të zërit për telefonuesit, krahasuar me përvojën e sotme monofonike të thirrjeve në smartphone, ku zëri kompresohet në një kanal të vetëm.