Art & Kulturë Live From Tirana

Nuk është e lehtë që të jesh skenografe apo kostumografe! Stela Laknori tregon gjithçka për TAR!

E ftuar në emisionin “Live From Tirana” ka qenë kostumografja dhe skenografja e njohur Stela Laknori. Ajo ka treguar më shumë detaje rreth “Tirana Costume Fest” por gjithashtu ka folur edhe për punën dhe projektet e saj të reja që priten të realizohen shumë shpejt.

Kur bëhet fjalë për kostumografinë dhe për skenografinë ku orientohemi ne si krijues dhe çfarë trendi përpiqemi që të zgjedhim?

Frymëzimi besoj është më shumë nga Europa. Nuk po them Amerika sepse jemi edhe shumë afër me Europën. Nuk po them për frymë lindore sepse nuk e kemi fare afër vetes jam e bindur për këtë, Italinë e kemi referencë shumë të mirë. Kulturën gjermane shumë pak tek periudha dimërore ndoshta. Një kostum duhet që aktorit t’i shkojë dhe që të ndihet vetvetja. Duhet të vijnë në mënyrë natyrale. Ne krijojmë një lidhje të afërt edhe me aktorët në mënyrë që edhe puna të bëhet më e bukur dhe më organike. Çdo gjë vjen dhe është zinxhir.

Çfarë i mungon skenografisë dhe kostumografisë në Shqipëri?

Mendoj që nuk ka asgjë që ju mungon këtyre personave që realisht punojnë në këto lloj fushash por do të doja shumë që të kishte pak më shumë vëmendje edhe nga ana e produksionit dhe nga pasja e një lirie për të vepruar. Sepse ka edhe faktorë që je i kushtëzuar, pjesa e buxhetit është pak e limituar. Por nuk dua ta bëj justifikim këtë gjë sepse nëse ka një gjë që qëndron mbi gjithçka është bashkëpunimi.

Për një person të ri, cila do të ishte këshilla më e mirë që do t’i jepje dhe sa e lehtë është që të gjesh treg pune këtu?

Mendoj që të gjithë ne vuajmë për persona të aftë. Këshilla ime për ta është vetëm punoni, vetëm të punojnë. Më të qetë dhe më të përulur, duhet ta duan patjetër këtë punë, nuk është e lehtë, është një sfidë fizike më shumë përpos psikologjike. Është shumë e vështirë por unë e di që me mundim do t’ia dalin.

Cili ka qenë xhirimi më impenjativ për ty?

Ka pasur realisht shumë filma të vështirë, sidomos nga kushtet atmosferike. Por harrohen të gjitha. Spotet janë gjithashtu më të vështirë sepse duhet të përmblidhet në një ose dy ditë dhe duhet që gjithçka të shkojë perfekt për hir të natyrës dhe të kohës. Mbaj mend tek spoti i fundit me Gentian Zenelajn ka qenë shumë sfiduese për shkak të temperaturave që kanë qenë deri në -4°C në Korçë.

Cilat janë projektet që do të vijnë së shpejti?

Kemi spotet e reja të Digitalb bashkë me fituesin e “Big Brother VIP”. Do të nisim së shpejti edhe xhirimet për serialin “HOT” dhe kemi gjithashtu edhe filmin e një regjisori të ri që gjithashtu pritet të vijë shumë shpejt.

Kur u pyet në lidhje me më shumë detaje të tjera rreth spoteve me Ilir Shaqirin, Stela zgjodhi që të mos jepte më shumë detaje por na tha se:

Duhet të presim Marsin.