I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë teologu Vladimir Kera. Ai ka diskutuar më shumë mbi tragjedinë e zjarreve në Los Angeles. A është një dënim nga Zoti?! Por po ashtu, ai u ndal edhe tek Amber Candy. A duhen paragjykuar vendimet e saj, apo të shihen si normale?
Nëse ne i themi Amber Candy që ‘ti je një gabim natyror dhe Zoti nuk thotë kështu’, çfarë jemi duke bërë në këtë rast?
Do flasim në parim. Parimi është i tillë që njeriu ka të drejtën e tij në zgjedhjet personale. Në momentin që ato zgjedhje personale bëhen përfaqësim publik, këtu është i gjithë diskutimi që bëhet. Pra, ngrihet një pikëpamje teologjike. Zgjedhjet personale, janë personale. Se çfarë bën njeriu me veten e tij, me shpirtin e tij, është komplet personale dhe ne nuk kemi të drejtë madje as të zhbirojmë mbi jetën personale, në asnjë mënyrë. Por në momentin kur ka dalje publike, këtu futemi tek një debat që hapësirën publike kush e vendos? Çfarë është një gjë që lejohet të dalë publikisht, që është normë, që është e drejtë, e duhur, është e saktë apo nuk është? I gjithë debati këtu ngrihet. Pikëpamja teologjike thotë që jo, normë është ajo që është e natyrshme, pra që është normale. Ai që quhet rregulli, përjashtimi nuk është rregull. Specifikohet dhe ruhet si i tillë, por nuk është rregull normal.