Në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje apo kompromis për votimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarëve të tij, rrezikojnë ta bllokojnë konstituimin e institucionit ligjvënës dhe ta fusin vendin në ngërç institucional, thonë njohësit e çështjeve politike dhe kushtetuese. Seanca e konstituimit, që nisi më 15 prill, dje u ndërpre për herë të katërt dhe për pasojë u shty për nesër në orën 10:00.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë fajësuar njëra-tjetrën për bllokimin e konstituimit.
Vetëvendosje këmbëngul në propozimin që deputetja Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit dhe ka kërkuar marrëveshje me partitë e tjera politike. Propozimi kundërshtohet nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Kompromisi i mundshëm
Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se në aspektin politik, konstituimi i Kuvendit gjendet në një bllokadë, për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka rritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme nga deputetët, për të miratuar propozimin e saj.
Kur nuk i ke numrat, duhet kompromis e nuk mund të imponosh kandidatë. Duke marrë parasysh refuzimin kategorik të propozimit të LVV-së nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, partia fituese do të duhet të lëshojë pe.
Do të duhet që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë përpjekje për të dialoguar me partitë politike, në mënyrë që të ketë një kandidat të përshtatshëm, të paktën për shumicën e deputetëve, në mënyrë që ta zhbllokojë situatën.
Mendim të ngjashëm me Krasniqin ka edhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thekson se deri nesër kur pritet vazhdimi i seancës, partitë politike duhet të gjejnë një kompromis, i cili do ta zhbllokonte ngërçin, ku ka hyrë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, kompromisi nënkupton një marrëveshje që përfshin propozimet në paketë, për kryetarin e Kuvendit, si dhe për pesë nënkryetarët, nga partitë shqiptare e të komuniteteve pakicë joserbe dhe serbe.
Gjatë këtyre 48 orëve, të merren vesh [partitë politike] që të gjejnë kompromis. Pra, nëse jo me këtë kandidate që tri herë i ka dështuar partisë apo koalicionit fitues, atëherë me ndonjë kandidat tjetër, i cili mund të jetë më i pranueshëm për partitë e tjera, si kryetar Kuvendi, si dhe për kandidatët për nënkryetarë.
Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, çdo ndërprerje e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë. PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë tjetër kandidat të pranueshëm për partitë politike. Ndërkaq, LDK-ka ka theksuar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.