Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Korçës, Erion Ahmetit dhe dorëheqjes së drejtorit të Policisë së Elbasanit, Fatmir Hoxha do te ketë të tjera ndryshime të rëndësishme në rang drejtorësh qarqesh në Policinë e Shtetit.
Gara është hapur edhe për kreun e Policisë së Shkodrës, por pritet që drejtuesi aktual i komanduar, Gentian Berberi të kandidojë për këtë detyrë e të rikonfirmohet. Ndryshime do të ketë në qarkun e Lezhës, që aktualisht drejtohet nga Altin Mena.
Pritet që edhe qarku më i rëndësishëm, ai i Tiranës të ketë ndryshim, ku drejtor aktual është Elton Alushi. Pothuajse në pjesën më të madhe të qarqeve do të kemi emra të rinj drejtuesish mes uniformave blu. Ka informacione se pritet të promovohen figura të reja, si Uljan Shpataraku, ndërsa drejtues që janë në detyrë, të transferohen nga një qark në tjetrin.
Ndërkohë, sot nisin edhe aplikimet e para për drejtues të departamenteve në DPPSH, pasi është hapur gara për departamentin e Kufirit dhe Migracionit dhe departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Ende mbetet e pahapur gara për departamentin e Policisë Kriminale që drejtohet nga Neritan Nallbati, ku ligji për Policinë e Shtetit i kaluar një vit më parë e përcakton qartë që duhet hapur gara.