Një 63-vjeçar italian ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm pas një ndërhyrje kirurgjikale në një klinikë dentare.
Dy ditë më parë, D.S., ka shkuar për mjekim në spital pasi nuk është ndjerë mirë.
Sipas informacioneve paraprake, kjo ka ardhur për shkak të një ndërhyrje të bërë me datë 20 në një klinike dentare në Rrugën e Kosovarëve.
Deri më tani, policia ka marrë deklarimin e administratorit dhe dentistit të klinikës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 22.05.2025, ka shkuar për mjekim në spital shtetasi italian D. S., 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi dyshohet se pas një ndërhyrje kirurgjikale më datë 20.05.2025, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve nuk është ndier mirë. 63-vjeçari, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore, ku i kanë marrë deklarim administratorit dhe dentistit të klinikës. Materialet u referuan në Prokurori, për vlerësim të mëtejshëm të rastit.
Ky është rasti i dytë brenda harkut kohor të dy ditëve që një tjetër pacient vdes pas një ndërhyrje kirurgjikale. Kujtojmë se më 22 maj, Valbona Xha Zejno, një tjetër paciente ndërroi jetë në Durrës pas një operacioni për ngushtim stomaku në në spitalin privat “Villa Alba”.