Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit deri më tani kanë shkaktuar në Iran vdekjen e 1.172 civilëve, mes tyre të paktën 194 fëmijë, si dhe 176 ushtarakëve. Kështu bën të ditur organizata joqeveritare amerikane Human Rights Activists News Agency, raportimin e së cilës e citon CNN.
Ndërkohë Garda Revolucionare e Iranit (Pasdaranët) ka deklaruar se ka kryer një sulm me raketa ndaj bazës ushtarake amerikane të Juffair në Bahrein. Lajmi u raportua fillimisht nga Al Jazeera.
Sipas Pasdaranëve, sulmi ishte një akt hakmarrjeje pas një sulmi të pretenduar amerikan ndaj një impianti të desalinizimit të ujit në ishullin Qeshm në Iran.
“Në përgjigje të sulmit të terroristëve amerikanë ndaj impiantit të desalinizimit në Qeshm, baza amerikane në Juffair në Bahrein u vu menjëherë në shënjestër nga raketat iraniane”, deklaruan Gardianët e Revolucionit, sipas agjencisë iraniane Tasnim.
Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet amerikane apo nga Bahreini për dëme apo viktima nga sulmi.
Forcat e SHBA-së dhe të Izraelit gjatë ditëve të fundit kanë fundosur 42 anije luftarake iraniane dhe kanë shkatërruar një pjesë të madhe të aviacionit dhe të sistemit të komunikimeve të Republikës Islamike. Kështu deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në samitin “Shield of the Americas” në klubin e tij të golfit në Doral.
LEXO EDHE: Irani kërkon falje, presidenti Pezeshkian: Nuk do të sulmojmë fqinjët, nëse nuk e bëjnë ata!
Trump siguroi se operacioni ushtarak po shkon “mrekullisht” dhe falënderoi sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, të cilin e quajti “fantastik”, duke shtuar se “po bën një punë shumë të madhe”.
Presidenti hodhi poshtë gjithashtu akuzat për “militarizëm”, duke theksuar se ka “përfunduar tetë luftëra”.