Opel njoftoi së fundmi se do të nxjerrë në treg gjeneratat e reja të automjeteve të saj Combo, Vivaro dhe Movano. Sipas mediave të huaja, secili model do të shfaqë një stil të ri dhe të ridizajnuar. Përveç kësaj, marka gjermane njoftoi se Movano i ri do të jetë gjithashtu i disponueshëm si një automjet me celula hidrogjeni në të ardhmen e afërt.
Përveç dizajnit të jashtëm, ambientet e brendshme të Opel Combo të re, Vivaro dhe Movano kanë pësuar zhvillim të mëtejshëm. Për më tepër, treshja do të jetë e disponueshme në gjatësi, lartësi dhe lloje trupore të ndryshme për të përmbushur të gjitha nevojat profesionale të klientëve. Opel do të zbulojë më shumë detaje rreth linjave individuale të automjeteve në javët e ardhshme.
Ndërkaq, sjellim në vëmendje se shitjet e makinave elektrike në Shtetet e Bashkuara po thyejnë çdo rekord dhe ekspertët thonë, që ky është vetëm fillimi. “Lidhni mirë rripat e sigurimit sepse vetëm tani do nisin makinat elektrike të së ardhmes”,-tha Michael Regan, administrator i EPA. Sipas shoqatës së automjeteve, konsumatorët amerikanë kanë blerë vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, prill-qershor, gati 300 mijë makina elektrike, 48% më shumë nga e njëjta periudha e një viti më parë e shumë më shumë nga vitet paraardhëse.