Prej më shumë se një dekade, dizajnerët e Opel kanë integruar në mënyrë të fshehtë peshkaqenë të vegjël në enterierin e disa prej modeleve të tyre më të njohura, si Grandland X, Corsa, Astra, Insignia dhe Zafira – një detaj që ka intriguar dhe kënaqur shumë pronarë makinash.
Gjithçka nisi në vitin 2004, kur dizajneri Ditmar Finger punonte në shtëpi mbi dizajnin e ndarjes së dorezës për modelin e ri Corsa.
Gjatë skicimit të brinjëve anësore që sigurojnë qëndrueshmëri për objektet e vendosura brenda, djali i tij i vogël i propozoi me naivitet:
Babi, pse nuk e bën si peshkaqen?
Dhe kështu ndodhi – Finger i dha formës një pamje që ngjante me një peshkaqen.
Të nesërmen, Finger ia tregoi idenë shefit të atëhershëm të projektit Corsa, Nils Loeb, i cili u entuziazmua dhe vendosi që ky detaj të kalojë në prodhim.
Kështu, peshkaqeni u bë pjesë e brendshme e modeleve Opel, duke filluar nga Corsa dhe më pas duke u shpërndarë edhe në modele të tjera si Zafira, ku u vendosën deri në tre peshkaqenë të fshehur në kabinë.
Ky element i veçantë dekorativ u bë një simbol i fshehtë që i jep personalitet enterierit të makinës.
Në modelet më të fundit si Astra, Insignia dhe Adam, peshkaqenët vazhdojnë të jenë të pranishëm si një “sekret” i këndshëm për përdoruesit që e zbulojnë rastësisht.
Sot, drejtori i dizajnit të enterierit në Opel thotë se peshkaqeni është kthyer në një simbol të identitetit të brendshëm të markës – një shenjë kreativiteti dhe origjinaliteti që i jep makinave një detaj të vogël, por të paharrueshëm.