OpenAI eksperimenton, blen kompaninë e njeriut që bëri të famshëm dizajnin e iPhone!

OpenAI ka vendosur të eksperimentojë dhe të hyjë në fushën e harduerëve. OpenAI po blen startup-in “io”, të themeluar nga Jony Ive, për 6.5 miliardë dollarë, shkruan The New York Times. Kompania e konfirmoi lajmin në një postim në faqen e saj të internetit, me një foto shoqëruese të dy biznesmenëve. Pretendohet se fotografia është reale dhe jo e gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Si pjesë e marrëveshjes, Ive dhe studioja e tij e dizajnit LoveForm do të vazhdojnë të operojnë në mënyrë të pavarur nga OpenAI.

Megjithatë, Scott Cannon, Evans Hankey dhe Tang Tan, të cilët bashkëthemeluan “io” me Ivo-n, po bëhen punonjës të OpenAI, së bashku me rreth 50 inxhinierë, dizajnerë dhe studiues të tjerë. Në bashkëpunim me ekipet ekzistuese të OpenAI, ata do të punojnë në harduer që u lejon njerëzve të bashkëveprojnë me teknologjitë OpenAI. OpenAI nuk zbuloi nëse blerja do të paguhet me para në dorë apo me aksione. Sipas Wall Street Journal, ky është një transaksion i plotë aksionesh, duke pasur parasysh që OpenAI ende nuk po nxjerr fitim nga operacionet e saj.

Kur Altman u pyet se si do ta financonte këtë blerje, ai i tha The Times se media ishte më e shqetësuar për financimin dhe të ardhurat e OpenAI sesa për vetë kompaninë. “Do të jemi mirë. Faleminderit për shqetësimin tuaj”-theksoi Altman. Marrëveshja është ende në pritje të miratimit nga autoritetet rregullatore. Në një intervistë me The Times, CEO i OpenAI, Sam Altman, dhe Jony Ive, i njohur më së miri për dizajnin e tij të iPhone, thanë se qëllimi i partneritetit është të krijojnë produkte të jashtëzakonshme që e ngrenë lart njerëzimin.

“Ekipi i io, i përqendruar në zhvillimin e produkteve që frymëzojnë, fuqizojnë dhe mundësojnë, tani do të bashkohet me OpenAI për të punuar më ngushtë me ekipet e kërkimit, inxhinierisë dhe prodhimit në San Francisko”-tha OpenAI në faqen e saj të internetit në lidhje me blerjen. “Ndërsa io integrohet me OpenAI, Johnny dhe LoveForm do të marrin role të rëndësishme në dizajn dhe krijimtari brenda OpenAI dhe io”-thotë Altman.

Sipas raportimeve, OpenAI tashmë kishte 23% të aksioneve në io bazuar në një marrëveshje që dy kompanitë arritën në fund të vitit 2024. Tani OpenAI po paguan rreth pesë miliardë dollarë për të marrë kontrollin e plotë të startup-it. Nëse kjo do të thotë që pajisjet fizike OpenAI së shpejti do të na presin dhe në çfarë forme do të jenë të disponueshme, mbetet e paqartë për momentin. Përshkrimi i videos në YouTube të treguar më poshtë thotë: “Po ndërtojmë një familje produktesh të inteligjencës artificiale për të gjithë”.