Opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), bllokoi seancën e 21 janarit në Parlament, ku në rend dite ishte diskutimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025. Pasi kryeparlamentari, Andrija Mandiç hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe i dolën para.
Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Parlamentit po vihet në pikëpyetje.
Mandiç paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre do të marrin masa ndëshkuese me shkrim. Por, nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca. Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për nxjerrjen në pension të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviç, i marrë po në dhjetor. Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.
Bllokimi i punimeve u diskutua edhe gjatë vizitës zyrtare të komisionares europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Mal të Zi, e cila ofroi ndihmën e Komisionit Europian për normalizimin e punës së Kuvendit. Delegacioni i BE-së propozoi përfshirjen e Komisionit të Venecias, një organ këshillues i Këshillit të Europës në zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe parlamentare. Edhe pse DPS-ja nuk e refuzoi publikisht këtë propozim, kryeministri malazez, Millojko Spajiç e akuzoi për aktivitete antieuropiane.
Deputeti i opozitës nga Socialdemokratët, Nikolla Zirojeviç tha se nuk ka vend për kompromis kur shkelet Kushtetua.
Nuk e di se si duhet ta komunikojmë, ta shkruajmë, ta vizatojmë, ta këndojmë, si me shumicën parlamentare, ashtu edhe me Delegacionin e BE-së: nuk negociojmë për respektimin e Kushtetutës së Malit të Zi në Kuvendin e Malit të Zi!
Kërkesat e opozitës
Opozita kërkon edhe nënshkrimin e marrëveshjes me pushtetin për të mos e ndryshuar Kushtetutën në fushën e çështjeve të identitetit dhe as Ligjin për shtetësinë malazeze. Ndryshime të tilla kërkojnë partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, i udhëhequr nga Andrija Mandiç. Konkretisht, ato kërkojnë që serbishtja të bëhet gjuhë zyrtare, duke u barazuar me gjuhën malazeze, si dhe liberalizimin e shtetësisë, që t’u mundësohet edhe shtetasve të vendeve fqinje të bëhen shtetas malazezë. Përveç opozitës, këto kërkesa i kanë kundërshtuar edhe partitë shqiptare në qeverinë e Malit të Zi. Opozita, në anën tjetër, tha se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave.