Përfundoi mbledhja e opozitës në Shkodër, takim që sipas tyre është mesazh qëndrese kundër krimit, me mbështetje qeveritare. Vendimet para mediave i dha kreu i grupit kuvendor të LSI-së Petrit Vasili. “Jemi këtu dhe do të jemi në të gjithë vendin për të marrë këtë detyrim të madh pasi përfundimisht Shqipëria është pa qeverisje dhe pa drejtim dhe këtë drejtim ajo e ka ndarë me bandat, të cilat gjysmat janë në rrugë dhe gjysma në tavolinat e qeverisë. Nuk ka më Ministri të Brendshme, sepse duart e ministrisë së Brendshme i ka lidhur krimi dhe trafiku. Përfundimisht qeverisja i është dorëzuar kriminelëve. Opozita ka vendosur që marrëdhënia me parlamentin të jetë e kushtëzuar. Të ketë një qëndrim të papajtueshëm dhe zero kompromis me një qeverisje të kriminalizuar. Të gjitha faktet që po demonstrohen në mënyrë të përditshme janë fakte që tregojnë kriminalizimin të kryeministrit të vendit dhe secili prej tyre. Ndaj këtë papajtueshmëri të plotë pa asnjë ekuivok dhe me cdo kusht, pra asnjë kompromis me këtë qeveri, na e ka imponuar populli shqiptar në përgjithësi dhe populli i Shkodrës në vecanti”, tha Vasili nga Shkodra.