Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sot përkujtuan 24-vjetorin e betejës së Çabratit. Osmani theksoi se dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit.
26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjet më parë ranë heroikisht në Betejën e Çabratit, në përpjekjen e tyre për t’u dalë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre, të cilët për tri ditë iu nënshtruan veprimeve kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë.
Rreth 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë ndërsa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë kudo hov, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë. Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë dhe do t`i kujtojmë përherë me respekt!
Kryeministri Albin Kurti theksoi se “çdo ditë kujtojmë sakrificat e mëdha për çlirimin e vendit”. Në një postim në Facebook shkruan:
Mëngjesin e 7 majit të vitit 1999, Çabrati i Gjakovës agoi nën rrethimin e forcave të shumta të Serbisë. Në mbrojtje të civilëve doli Brigada 137 “Gjakova”. Luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe vazhduan deri më 11 maj. Në këto ditë maji të vitit 1999, në Çabrat e në rrethinat e qytetit, ranë 26 dëshmorë e më shumë se 100 martirë. Mbi 350 civilë të moshave të ndryshme u rrëmbyen me dhunë. Shumë prej tyre u mbajtën peng në burgje të ndryshme. Sot kujtojmë djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit. Kujtojmë çdo ditë sakrificat e mëdha për çlirim. I përjetshëm qoftë kujtimi për 1022 martirët dhe 361 ushtarët dëshmorë të Gjakovës!
Sot në Gjakovë kujtohet 24-vjetori i “Epopesë së Çabratit”. Për lirinë e Kosovës janë flijuar dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit. Datat 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999 për shumë nga qytetarët e Gjakovës, kujtojnë momentet e luftimeve të ashpra mes forcave të UÇK-së dhe policisë, ushtrisë e paramilitarëve serbë.