Presidentja Vjosa Osmani tha se rruga e vendit drejt integrimeve euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), çdo ditë po dëshmon se është e denjë për të qenë pjesë e strukturave ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në ceremoninë e gradimit të 334 rekrutëve të rinj të FSK-së, kryetarja e shtetit deklaroi se këta ushtarë të rinj po bëhen pjesë e një force që çdo ditë po zhvillohet e po bëhet një ushtri moderne e profesionale, “e gatshme për t’u përballur me çdo sfidë”.
FSK-ja po marshon fuqishëm përpara në procesin e avancimit si forcë moderne, e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar. Ushtria jonë çdo ditë e më shumë po dëshmon gatishmërinë e plotë për të përmbushur standardet më të larta të NATO-s, aty ku Kosova e ka vendin dhe e meriton vendin.
FSK-ja që është në proces të transformimit në ushtri është një aleate e besueshme e partnerëve ndërkombëtarë dhe është garanci për paqe dhe siguri për Kosovën.
Rekrutët e rinj iu nënshtruan stërvitjeve bazë, që zgjatën për nëntë javë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë mandatit katërvjeçar u rekrutuan 2.315 ushtarë të rinj. Sipas tij, muajt në vijim, atyre do t’iu shtohen 390 ushtarë, duke bërë që numri total i rekrutimeve të reja të arrijë në 2.705.
Ju jeni garancia më e fuqishme që populli i Kosovës do të jetojë në paqe, integriteti territorial do të jetë i pacënueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm. Në realizim të këtij vizioni, mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ngritur e zhvilluar kapacitetet tona mbrojtëse.
Kurti bëri të ditur se qeveria e drejtuar prej tij ka investuar në armatim në vlerë 319 milion euro, duke përmendur këtu blerjen e dronëve Bayraktar nga Turqia, sistemet kundërtanke Javelin nga Shtetet e Bashkuara dhe përsëriti se së shpejti, Kosova do të ketë në inventar edhe helikopterët amerikanë, Black Hawk.
Kurti shtoi se buxheti për ushtrinë është rritur në 4 vitet e fundit.
Synimi ynë është i qartë, ndërtimi dhe rritja e një ushtrie që respekton standardet më të larta të NATO-s dhe që është pjesë aktive e arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare demokratike. Kosova nuk është një shtet që kërkon vetëm mbështetje, Kosova është një partnere që kontribuon, që investon dhe që garanton sigurinë rajonale.