Rajoni

Osmani uron Haxhiun për zgjedhjen në krye të Kuvendit, bën thirrje për bashkëpunim institucional!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët për përgjegjësinë e re që u është besuar.

Osmani theksoi se Kuvendi është themeli i demokracisë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve.

Ajo shprehu besimin se udhëheqja e re do ta ushtrojë mandatin me përgjegjësi demokratike, në respektim të Kushtetutës dhe në shërbim të interesit të Republikës.

Në mesazhin e saj të postuar në Facebook, presidentja ritheksoi nevojën për bashkëpunim konstruktiv ndërinstitucional dhe për një Kuvend plotësisht funksional, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik dhe avancimit të agjendës euroatlantike të Kosovës.

LEXO EDHE: Mbrojtja e Thaçit në Hagë hedh poshtë pretendimet e prokurorisë: Të shpallet i pafajshëm, s’ka prova për strukturë kriminale!

Çfarë pritet?
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja – në këtë rast Vjosa Osmani – cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit nga partia ose koalicioni që ka shumicën në Kuvend.

Kandidati për kryeministër duhet që brenda 15 ditësh nga emërimi, të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin e deputetëve.

Megjithatë, në rrethanat aktuale, votimi për Qeverinë pritet të ndodhë që sonte.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse siguron të paktën 61 vota – pra shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka 57 ulëse. Kabineti i Albin Kurtit pritet të mbështetet edhe nga disa deputetë të komuniteteve joserbe, të cilët janë gjithsej dhjetë, si dhe nga deputeti i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. /REL