Health & Beauty

Pa e kuptuar…/Një në tri gra përballen me këtë problem shëndetësor!

Dyshemeja e legenit te gratë është një strukturë e jashtëzakonshme, por shpesh e neglizhuar; një “rrjet” kompleks muskujsh dhe ligamentesh që shtrihet nga pjesa e përparme e legenit deri te kocka e bishtit. Këta muskuj mbështesin fshikëzën urinare, zorrët dhe mitrën, rrethojnë hapjet e uretrës, vagjinës dhe anusit dhe punojnë në sinkron me diafragmën, muskujt e barkut dhe të shpinës për të ruajtur qëndrimin e duhur të trupit.

Gjatë jetës së një gruaje, ngjarje të ndryshme mund të paraqesin sfida për dyshemenë e legenit. Shtatzënia, për shembull, rrit peshën e mitrës, duke ushtruar presion shtesë mbi këta muskuj. Rritja e foshnjës mund të shkaktojë shtrirje dhe ndarje të muskujve të barkut, duke rritur natyrshëm ngarkesën mbi dyshemenë e legenit. Lindja, veçanërisht ajo vaginale, mund të rezultojë në traumë të perineumit, duke dëmtuar drejtpërdrejt indet e dyshemesë së legenit.

Megjithatë, ndryshe nga bindjet e përhapura, problemet me dyshemenë e legenit nuk shkaktohen vetëm nga shtatzënia dhe lindja. Në fakt, hulumtimet tregojnë se aktiviteti fizik intensiv, edhe tek gratë që nuk kanë qenë kurrë shtatzëna apo që nuk kanë lindur, mund të kontribuojë në shfaqjen e disfunksionit. Ushtrimet fizike janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm dhe shpesh rekomandohen si mënyrë për lehtësimin e simptomave të menopauzës dhe menstruacioneve. Por ajo për të cilën flitet rrallë është se tendosja e përsëritur, si ngritja e peshave ose kërcimi, mund të ketë ndikim negativ në dyshemenë e legenit.

Rritja e presionit intraabdominal gjatë këtyre aktiviteteve mund t’i dobësojë gradualisht muskujt e dyshemesë së legenit, veçanërisht nëse ata nuk janë të stërvitur mjaftueshëm për t’i përballuar këto ngarkesa. Disfunksioni i dyshemesë së legenit zakonisht shfaqet kur këta muskuj nuk janë mjaftueshëm të fortë për t’u përballur me ngarkesat që u imponohen, qoftë nga aktivitetet e përditshme, ushtrimet fizike apo puna e muskujve të tjerë të trupit. Ky është një problem gjithnjë e më i shpeshtë, që prek një numër në rritje të grave.

Simptomat e zakonshme përfshijnë rrjedhje të urinës ose feçeve gjatë kollitjes, teshtitjes apo ushtrimeve fizike, ndjesi presioni ose rëndese në pjesën e poshtme të barkut ose në zonën vagjinale, marrëdhënie seksuale të dhimbshme, ndryshime në jashtëqitje, si dhe fryrje të dukshme në zonën vagjinale. Ndikimi emocional mund të jetë po ashtu i madh duke shkaktuar turp, ankth, ulje të vetëbesimit dhe shmangie të aktivitetit fizik, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Me ushtrime të rregullta, me kalimin e kohës do të jeni në gjendje t’i mbani kontraksionet më gjatë dhe t’i integroni këto ushtrime në rutinën tuaj të përditshme.