Aktualitet

Padia kundër Dados për dekretin që e bëri prokuror, Veliaj i pranishëm në Gjykatën Administrative!

Ka nisur përballja e radhës në Gjykatën Administrative për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i cili kërkon anulimin e dekretit që e bëri Ols Dadon prokuror. Kryetari i Tiranës ka mbërritur në gjykatë, i shoqëruar nga Policia e Burgjeve.

Avokati Plarent Ndreca ka nisur me leximin e qëndrimit në lidhje me kërkesën e shoqatës Asociacioni për Media e Drejtësi për të qenë palë në gjykim dhe është shprehur se duhet pranuar.

Shkak i shtyrjes së seancës më 3 korrik ishte mungesa e avokatit Plarent Ndreca. Veliaj i cili ishte i pranishëm në seancë kërkoi leximin e një deklaratë, por gjyqtari nuk ia lejoi.

Në deklaratën që u shpërnda më pas për mediat, Veliaj tha se Kushtetuesja arriti në përfundimin se nuk ka provuar për të arritur dyshimin se është kryer vepër penale.

Sa i takon mbajtjes në paraburgim të Veliajt , avokati mbrojtës i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, reagoi në fillim të muajit pas zbardhjes së vendimit të 25 majit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndreca ka shkruar se Gjykata Kushtetuese konfirmoi problemin kryesor që, sipas tij, ishte i pranishëm që në vendimin për masën e sigurisë ndaj Veliajt: ‘mungesën e testit të proporcionalitetit.’

Ndreca ka theksuar se gjykatat kishin analizuar vetëm interesin publik për mbrojtjen e hetimit, por kishin lënë jashtë vlerësimit një tjetër interes kushtetues, të drejtën e qytetarëve të Tiranës për t’u qeverisur nga kryetari që kishin zgjedhur me votë.

Avokati Ndreca shkroi gjithashtu se përgjegjësia tashmë kalon te Gjykata e Lartë, e cila sipas tij, duhet të zbatojë pa vonesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.