Aktualitet Politikë

“Paketa e Maleve”, kryeministri Rama thirrje diasporës të investojë në vendlindje!

Në fjalën e mbajtur në Samitin e Diasporës, kryeministri Edi Rama vuri theksin te rëndësia e “Paketës së Maleve” si një mundësi konkrete për zhvillimin ekonomik dhe rikthimin e shqiptarëve drejt investimeve në vendlindje.

Shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, Rama iu bëri thirrje të investojnë në Shqipëri, duke garantuar se përmes mbështetjes së qeverisë, të ardhurat e tyre mujore mund të jenë më të larta se ato që sigurojnë në vendet ku aktualisht jetojnë dhe punojnë.

Shefi i qeverisë theksoi se sot, Shqipëria ofron mundësi reale e të prekshme për zhvillim, duke e cilësuar “Paketën e Maleve” si një nismë me rëndësi të veçantë, jo vetëm ekonomike, por edhe simbolike. Sipas tij, kjo paketë synon të rikthejë vëmendjen te zonat malore, që historikisht kanë qenë të izoluara e larg zhvillimit.

Shqipëria është një rrugë e hapur, e dukshme, e prekshme mundësish, për të gjithë. Zgjodha të sjell një gjest, akt, vendim të qeverisë që mua më duket se ka brenda dhe një simbolikë, “Paketën e Maleve”, për të gjithë ata që kanë lënë tokën e tyre në mal për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë.

Shqiptarëve që kanë një copë tokë diku në mal, kodër, një shtëpi të braktisur të gjyshit e stërgjyshit, ju them që ta marrin në dorë “Paketën e Maleve” dhe ta kthejnë atë shtëpi në burim mirëqenieje.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria po përjeton një moment të rëndësishëm zhvillimi, duke përmendur rritjen e ndjeshme të turizmit me miliona vizitorë çdo vit, çka sipas tij, “krijon kushte të favorshme për investime fitimprurëse”.

Diasporën e quajti “aset të çmuar”, duke theksuar se një komunitet global shqiptar, i arsimuar dhe i lidhur me vendin, mund të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë e botës.

Ndër të tjera theksoi rëndësinë e Samitit të Diasporës, si një moment për forcimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke e cilësuar “ushqim” për zhvillimin e të ardhmen e Shqipërisë.

Duke i siguruar të gjithë se ajo çka Shqipëria sot, që tërheq 12 milion turistë në vit, është në gjendje të bëjë për ta, falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë, që nga ai burim i ri mirëqenieje, ata do të fitojnë në fund të muajit më shumë se duke punuar për të tjerët jashtë atdheut. Kjo e maleve vlen për të gjitha.

Një komunitet global shqiptar i arsimuar, i lidhur, që kupton Shqipërinë dhe botën e që mund të shërbejë si urë, mes vendeve, kulturave, ideve, është një komunitet, anëtarët e të cilit nëse kthejnë sytë nga Shqipëria sot kanë edhe çfarë të fitojnë duke punuar me Shqipërinë.

Dita e sotme është e rëndësishme, se po ushqejmë marrëdhënien tonë për të ushqyer sa më mirë Shqipërinë.