Best of Live From Tirana
E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë blogerja Anisa Musta, po ashtu agjente real estate. Ndër të tjera, ajo tregoi dhe pak për punën e saj si agjente imobiliare, ku ndau me publikun disa fakte habitëse…
Kush janë më cilësorë, pallatet e kohës së Enverit, apo pallatet e reja?
Padyshim janë pallatet e reja. Unë shes çdo ditë, edhe në pallate ekzistuese, siç i themi pallateve të kohës së Enverit.
Kur ra tërmeti në Thumanë, pallatet e kohës së Enverit nuk i gjeti asgjë këtu në Tiranë…
Edhe në Durrës, se unë jam nga Durrësi. Por kishte dhe pallate të reja që u dëmtuan, edhe pallate të vjetra që u dëmtuan, por ishin raste specifike të ndara. Ajo që unë sugjeroj është që njerëzit që janë në kërkim të një apartamenti, kryesisht me qira, por sigurisht dhe apartamente për blerje, të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin. Unë vetë nuk jetoj në një zonë shumë shumë të mirë të Tiranës, sepse sigurisht unë llogaris atë buxhetin tim në fund të muajit dhe llogaris sa e kam kapacitetin për të blerë. Jo të gjithë do jetojnë në qendër, jo të gjithë do jetojnë në kulla të larta 30 kate. Ka treg për të gjithë, ka zona për të gjithë, ka zona në Tiranë për të gjithë. Tirana po zgjerohet po bëhet shumë e madhe, edhe pak do arrijë në elbasan, kështu që ka mundësi sa të duash për të zgjedhur sipas buxhetit që ka gjithsecili.