Askush nuk e kishte imagjinuar se Pamela Anderson do të braktiste ndonjëherë pamjen e saj ikonike që e bëri një nga figurat më të famshme në botë.
Por aktorja 57-vjeçare ka habitur publikun me një transformim të plotë: natyrale, e qetë, elegante dhe larg imazhit glamur që e shoqëroi për dekada.
Pamela ka braktisur kaçurrelat e saj bionde legjendare për një nuancë të ngrohtë të së kuqes dhe një prerje më të shkurtër me onde të buta.
Ndryshimi u zbulua fillimisht në fillim të tetorit, por tani është zyrtarizuar përmes paraqitjes së saj të bujshme në kopertinën e revistës “People”.
Aty, ajo shfaqet pa asnjë pikë grim, një pamje që ndezi rrjetet sociale dhe ringjalli debatin mbi bukurinë natyrale në showbiz. Veshur me një triko të kaltër të butë dhe me një shikim të qetë e të brishtë, Pamela sjell një version të vetes që publiku nuk e kishte parë kurrë më parë.
Vitet e fundit, aktorja është kthyer në një ikonë të lëvizjes së bukurisë natyrale. Ajo ka pozuar pa grim në evente të mëdha, përfshirë Javën e Modës në Paris, duke marrë lavde nga Vogue, Harper’s Bazaar dhe kritikët e modës, që e cilësojnë si të guximshme dhe frymëzim për brezat e rinj.
Sipas saj, heqja dorë nga grimi dhe standardet tradicionale ishte një hap çlirues:
Nuk dua të jem më rob i imazhit të dikurshëm. Dua të jem e thjeshtë, e vërtetë dhe e lumtur
-ka deklaruar Pamela.
Dhe kjo duket qartë. Në paraqitjet e fundit ajo shfaqet më e qeshur, më e balancuar dhe me një energji të re që reflekton qetësi dhe vetëpranim.
Kopertina e “People” përfaqëson fillimin e një kapitulli të ri për të: një etapë ku thjeshtësia është luks, natyraliteti është forcë dhe bukuria është reflektim i paqes së brendshme.