Ushtria izraelite urdhëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen para fillimit të një ofensive të re, një ditë pasi Izraeli paralajmëroi se do t’i shpeshtojë sulmet ushtarake, nëse Hamasi nuk liron pengjet e mbetura në Gazë. Banorët e qytetit me një milion palestinezë e kanë pritur një sulm të tillë prej javësh.
Eshtë fjala që nga koha kur qeveria izraelite përgatiti një plan për t’i dhënë Hamasit një goditje vdekjeprurëse duke i rrënuar bastionet e fundit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
U them banorëve të Gazës, shfrytëzojeni këtë mundësi dhe më dëgjoni me kujdes: ju kemi paralajmëruar: largohuni prej andej, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Urdhrat për evakuim shkaktuan panik dhe hutim mes banorëve të qendrës më të madhe urbane të Rripit të Gazës. Disa thanë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të shkojnë në jug, por shumica pohuan se do të qëndrojnë pasi asnjë pjesë e Gazës nuk është më vend i sigurt.
Pavarësisht bombardimeve gjatë javës së kaluar, e kemi kundërshtuar largimin. Por, tani do të shkoj për të qenë pranë vajzës sime, u shpreh Um Mohammad, nënë e gjashtë fëmijëve.
Në Gazë, palestinezët janë zhvendosur disa herë që nga fillimi i luftës në tetor të vitit 2023, duke lëvizur mes veriut dhe jugut të enklavës bregdetare. Kjo e ka përkeqësuar krizën humanitare, duke shkaktuar edhe zi të bukës.
Ushtria izraelite i ka urdhëruar banorët e Qytetit të Gazës të zhvendosen në pjesën jugore Al-Mavasit në Han Junis, të cilën e ka shpallur “zonë humanitare”.
Netanyahu tha se forcat izraelite po grumbullohen në Qytetin e Gazës për një “manovër” tokësore, por deri sot nuk ka pasur ndonjë përparim të ri të tankeve për thellimin e ofensivës. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, vuri në dukje se ushtria do të intensifikojë fushatën në një “uragan të fuqishëm”, nëse Hamasi nuk liron pengjet e fundit dhe nuk dorëzohet.
Marrja nën kontroll e qytetit i ndërlikon edhe më tej përpjekjet për një armëpushim, i cili do t’i jepte fund pothuajse dy vjetëve luftë të përgjakshme në rajonin e Lindjes së Mesme.