Në Vatikan, Papa Françesku pati një takim privat me zv.presidentin amerikan, JD Vance. Besimtar katolik, në të kaluarën, Vance është përplasur me Papën lidhur me politikat e administratës Trump për emigrantët. “Papa Françesku zhvilloi një takim të shkurtër privat, që zgjati disa minuta dhe të dy shkëmbyen urimet për ditën e Pashkës”, njoftoi Selia e Shenjtë.
Bashkë me familjen e tij, numri dy i Shtëpisë së Bardhë po viziton Italinë këtë fundjavë. Një ditë më parë, Vance u takua me zyrtarë të lartë të Vatikanit, me të cilët zhvilloi bisedime formale. Papa, i cili po rikuperohet nga pneumonia, nuk mori pjesë në këto takime.
Siç dihet, Ati i Shenjtë dhe zyrtarë të Vatikanit kanë kritikuar disa nga politikat e administratës Trump, përfshirë planet për të dëbuar miliona emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shkurtimet e mëdha për ndihmat e huaja e për programet sociale brenda vendit.
Françesku e ka cilësuar “të turpshme” shtypjen e emigracionit. Vance, i kthyer në katolik në vitin 2019 ka cituar mësimet e Kishës Katolike, të epokës mesjetare, për të justifikuar këtë politikë.
Papa i është përgjigjur konceptit teologjik, që ka përdorur zv.presidenti amerikan për të mbrojtur këtë qasje, në një letër të hapur drejtuar ipeshkvijve katolikë amerikanë në muajin shkurt, ku e quajti planin e Trump-it një “krizë të madhe” për Shtetet e Bashkuara.