Aktualitet Bota

Papa hap portën e shenjtë, nis viti jubilar/Më shumë shpresa për paqe!

Në lutjen tradicionale për Krishtlindje, Papa Françesku apeloi për paqe, përkushtim e angazhim. Kreu i Kishës Katolike hapi edhe Portën e Shenjtë në Vatikan, që simbolizon se viti 2025 do të jetë “vit i shenjtë”. Kjo portë hapet vetëm në çdo 25 vite. Ati i Shenjtë mori pjesë edhe personalisht në lutjet festive, ndonëse me probleme shëndetësore. Lutja ishte në shenjë të “Portës së Shenjtë”, me të cilën shënohet hapja e një “viti të shenjtë”, që përshkon më shumë shpresa për paqe në botë e për një jetë më të mirë për të gjithë.

Kjo është nata kur shpresojmë të hapen portat e shpresës, bekimit dhe mëshirës. Kjo është nata kur Zoti i thotë secilit: Edhe për ty ka shpresë!

Shpresa dhe falja, pajtimi dhe raporti i ri ndaj Zotit, janë simbolikat e “vitit të shenjtë”. Por për Papën, shpresa do të thotë edhe më shumë:

Shpresa e krishterë nuk është një fund i lumtur për një fillim, është premtimi i Zotit që do të gjejmë mbështetje në këtë botë që vuan dhe rënkon. Prandaj ajo na bën thirrje që të nxitojmë, të mos vazhdojmë rutinën e zakonshme, të mos qëndrojmë në mediokritet dhe përtaci, por të marrim guximin t’i ndryshojmë gjërat.

Viti i shpresës

“Viti i Shenjtë është një kohë shprese”, tha Papa.

Ne duhet të bëhemi pelegrinët në kërkim të së vërtetës, ëndrrimtarë që nuk lodhen kurrë, burra dhe gra që jetojnë me shpresën dhe punojnë për vendosjen e paqes dhe drejtësisë. Duhet të angazhohemi për ta transformuar botën, e cila është e shtrembëruar nga logjika e fitimit…

Lutjet në Vatikan dhe në kryeqytetin italian Romë kaluan nën masa të forta sigurie. Në meshën me Papën në Bazilikën e Shën Pjetrit ishin mbledhur disa mijëra njerëz, ndërsa jashtë në sheshin e Shën Pjetrit numëroheshin edhe rreth 25 mijë vetë. Tjetër pikë kulmore ishte bekimi i Papës në mesazhin e tij tradicional në shumë gjuhë, Urbi et Orbi.