Papa Leo i XIV i ka bërë thirrje që priftërinjtë të mos mbështeten te inteligjenca artificiale për të përgatitur ligjëratën fetare, duke theksuar se AI nuk mund të ndajë besimin dhe nuk zëvendëson përvojën personale dhe reflekimin shpirtëror të predikuesit. Gjatë një takimi me klerin e Dioqezës së Romës, Papa i paralajmëroi priftërinjtë për “tendencën për të përgatitur predikimet me AI” dhe i inkurajoi ata që të përdorin mendjen dhe reflektimin e tyre personal.
Ai tha se truri duhet të përdoret, ashtu si çdo muskul i trupit nëse nuk punohet me të, dobësohet. Papa gjithashtu nënvizoi se një ligjëratë fetare e vërtetë është ndarja e besimit, dhe se asnjë “chatbot” nuk mund ta bëjë këtë, pasi AI nuk mund të ndajë besimin e thellë personal që vjen nga meditimi, lutja dhe përvoja e jetuar shpirtërore.
Ai nuk e hodhi poshtë teknologjinë në përgjithësi, por kërkoi vigjilencë dhe dallim në përdorimin e saj, duke theksuar se shërbimet fetare duhet të vijojnë të reflektojnë besimin dhe përvojën personale të priftërinjve për komunitetet që shërbejnë. Papa gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e iluzioneve të botës digjitale, siç janë ndjekësit dhe pëlqimet në rrjetet sociale, duke kujtuar se predikimet shpirtërore nuk duhet të ngatërrohen me famën online.
Në mesazhin e tij për 60-vjetorin e Ditës Botërore të Komunikimeve Sociale, Papa Leo XIV thekson rëndësinë e sigurimit që inovacioni teknologjik, veçanërisht Inteligjenca Artificiale, t’i shërbejë njeriut, në vend që të zëvendësojë ose pakësojë dinjitetin njerëzor. Papa Leo XIV prezantoi Mesazhin e tij për 60-vjetorin e Ditës Botërore të Komunikimeve Sociale, me fokus në komunikimin digjital dhe Al, duke theksuar nevojën për të mbrojtur dinjitetin njerëzor në një epokë që po formësohet gjithnjë e më shumë nga inovacioni teknologjik.