Ministri i Jashtëm, Igli Hasani shpreh vullnetin e qeverisë për të zgjidhur përmes dialogut të gjitha çështjet që janë ende pezull me Greqinë. Në një intervistë për median greke “TA NEA-Fundjavë”, një ditë para vizitës zyrtare në shtetin fqinj, Hasani nuk përjashtoi perspektivën e Hagës për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë, duke u shprehur i sigurt se të gjitha çështjet dypalëshe të pazgjidhura mund të adresohen.
Qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Ne marrim pjesë në këto diskutime me frymën e respektit të ndërsjellë, me qëllimin për të arritur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal.
Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm e bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse që përputhen me rregullat ndërkombëtare, duke u bazuar në lidhjet e thella historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë prej brezash. Këto lidhje të përhershme kanë ndihmuar në formimin e një marrëdhënieje që duhet të vazhdojë të udhëhiqet nga bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë.
Hasani vuri në dukje se marrëdhëniet mes Greqisë e Shqipërisë kanë potencial për t’u forcuar edhe më tej, si dhe përmendi infrastrukturën, burimet e rinovueshme të energjisë e shkëmbimet ndërnjerëzore, si fusha në të cilat dy vendet mund të bëjnë më shumë sëbashku.
Shqipëria dhe Greqia gëzojnë bashkëpunim të fortë në fusha të ndryshme. Ne vlerësojmë veçanërisht mbështetjen afatgjatë të Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë, së bashku me bashkëpunimin tonë në energji, tregti, nisma rajonale e platforma shumëpalëshe.
Duke parë përpara, shohim potencial të madh për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Me Shqipërinë në një fazë kyçe për anëtarësimin në BE, tashmë janë hapur katër grup-kapituj negociatash. Ky është momenti i duhur për forcimin e lidhjeve, jo vetëm në kontekstin europian, por edhe në fusha si infrastruktura, burimet e rinovueshme të energjisë dhe shkëmbimet ndërnjerëzore. Mbështetja e vazhdueshme e Greqisë do të mbetet thelbësore ndërsa punojmë për të sjellë më afër vendet dhe shoqëritë tona.
I pyetur mbi ambicien e qeverisë për anëtarësimin në BE, Hasani tha se Shqipëria do të vijojë me reformat, që kapitujt të mbyllen deri në vitin 2027 dhe më pas të fillojë përgatitja për anëtarësimin e vendit në bashkësinë europiane.
Mbetemi të përkushtuar për të përshpejtuar reformat, veçanërisht për integritetin e pushtetit gjyqësor, modernizimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve. Objektivi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve e të përfundojmë negociatat deri në vitin 2027-të, duke përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri më 2030-ën.
Ndërsa procesi është kërkues, ai ofron një kornizë transformuese për modernizimin e institucioneve dhe ekonomisë sonë e për forcimin e një shoqërie demokratike të qëndrueshme. Më shumë se dy dekada pas deklaratës të Selanikut, ka ardhur koha t’i jepet shtysë e re procesit të zgjerimit jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo është një recetë strategjike si për BE-në, ashtu edhe për rajonin.
Hasani sot ndalet në Qipro, në një vizitë zyrtare dhe nesër udhëton drejt Greqisë, ku do të takohet me homologun George Gerapetritis.