Bota

Dy raste në Himarë dhe Ksamil/ Turistët e huaj bllokohen në mes të detit, mjetet lundruese rrezikonin të fundoseshin

9 turistë të huaj, në dy raste të ndryshme në Himarë dhe Ksamil gjatë ditës së sotme, kanë mbetur të bllokuar në mes të detit.

Në Himarë, pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.

Në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.

Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil.