Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka festuar sot ditëlindjen e saj të 59-të, duke ndarë me ndjekësit një mesazh emocional në rrjetet sociale.
Artistja u shfaq e sinqertë për ndjenjat që e shoqërojnë në këtë ditë të veçantë, duke folur hapur për mallin që ndjen ndaj të birit, Luke.
Në postimin e saj, Simaku rrëfeu se dëshira më e madhe në këtë ditëlindje është një përqafim dhe një urim i thjeshtë nga djali.
Sa shumë do të doja ta dëgjoja këtë prej teje, por e di që ti as nuk e di se kur është ditëlindja ime
-shkruan ajo, duke shprehur dhimbjen që i shkakton mungesa e tij.
Megjithatë, këngëtarja theksoi se dashuria e saj për të birin mbetet e pakushtëzuar dhe e pandryshueshme.
Zemra ime rreh gjithmonë me ty – ashtu si atëherë kur ishe në barkun tim, edhe sot, në çdo frymë të jetës sime. Edhe pse jemi larg, ti je gjithmonë pjesë e imja – drita dhe shpresa ime. Të dua pafund, Luke!
-përfundon mesazhi i saj.
Postimi i Simakut preku zemrat e fansave, të cilët e kanë uruar për ditëlindjen, duke i shprehur mbështetje dhe respekt për sinqeritetin e saj.