Aktualitet

Parcelë me kanabis në Kukës, dy në kërkim!

Policia e Kukësit zbuloi një parcelë me 215 bimë kanabisi në fshatin Gështenjë, si dhe sekuestroi rreth 3 kilogramë lëndë narkotike.

Njoftimi i plotë i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zabeli”.

Si rezultat i operacionit, në njësinë administrative Kalis, në territorin e fshatit Gështenjë, në vendin e quajtur “Zabeli i Madh”, u konstatuan të kultivuara 215 bimë të dyshuara narkotike Cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.

Nga hetimet paraprake dyshohet se bimët janë kultivuar nga shtetasit F.R., 63 vjeç dhe M.R., 29 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Gështenjë, të cilët u shpallën në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll edhe në banesën e shtetasit F. R., 63 vjeç. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 3 kilogramë lëndë narkotike kanabis. Në vijim, u procedua në gjendje të lirë bashkëshortja e 63-vjeçarit, shtetasja V.R., 52 vjeçe, për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Gjithashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi S.R., me detyrë kryetar i fshatit Gështenjë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.