Përplasje me policinë, gaz lotsjellës, fishekzjarre dhe flakë: në Paris festimet degjeneruan në dhunë që para përfundimit të finales së Ligës së Kampionëve mes Paris-Saint Germain dhe Interit në Mynih, ndeshje që u mbyll me rezultatin 5-0. Të paktën 294 persona u arrestuan pas trazirave. Rreth 5 mijë policë u mobilizuan në zona të ndryshme të kryeqytetit francez ku u vendosën ekrane gjigante. Në Grenoble, një makinë goditi një turmë që festonte në qendër të qytetit. Katër të plagosur.
Mes të arrestuarve, 30 hynë në një dyqan këpucësh në Champs-Élysées. Dy makina u dogjën pranë Parc des Princes.
Sipas Le Parisien, pati dy pika tensioni në Paris, në Champs-Élysées e në Porte de Saint-Cloud, ku një makinë u dogj dhe disa të rinj me bomba tymuese tentuan të pushtonin unazën, përpara se të shtyheshin nga policia franceze.
Tifozët e vërtetë të PSG-së po emocionohen nga ndeshja madhështore e skuadrës së tyre. Ndërkohë, barbarët kanë mbërritur në rrugët e Parisit për të kryer krime dhe për të provokuar policinë, shkroi ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, në X.
Një BMW që lëvizte me shpejtësi të madhe pavarësisht turmës në qendër të qytetit Grenoble tentoi të kthehej duke kapur katër kalimtarë, dy djem 17 vjeçarë, një 23 vjeçare dhe një grua 46 vjeçe, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje. Shoferi braktisi makinën, për të shmangur turmën që tentoi ta godiste. Pak minuta më vonë u dorëzua te disa punonjës policie, të cilët e arrestuan.
Nuk ishte veprim i qëllimshëm dhe nga hetimet rezultoi se drejtuesi humbi kontrollin e automjetit.
Tension të madh pati në vendngjarje, ku bandat e të rinjve vijuan të vinin në shënjestër policinë duke e goditur me sende të forta . Ata u larguan me përdorimin e gazit lotsjellës.
Mes atyre që mbrëmë festuan ishte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Një ditë e lavdishme për PSG-në! Bravo, të gjithë jemi krenarë. Parisi, kryeqyteti i Europës sonte, shkroi Macron në X.