Në gjyqin për dosjen “Partizani” mediat shfaqën interes për ta regjistruar të plotë seancën, edhe me dakordësi nga Jamarbër Malltezi. Por, gjykata vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë duke dhënë miratim vetëm për regjistrim të planeve të nisjes së seancës. Ndërkaq, Malltezi kundërshtoi duke theksuar se kërkesa e tij ishte për transparencë të plotë të procesit dhe jo për show.
Kam bërë një kërkesë që të mund të regjistrohet e gjithë seanca, për të patur një proces sa më transparent e të mund të dëgjohen qëndrimet e të gjitha palëve. Por, gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur se mund të lejohet vetëm regjistrimi i fillimit të seancës. Unë nuk mund ta lejoj këtë që të regjistrohen pamje sa për show. Po të jepej e gjitha do të kuptohej që gjykata dhe prokuroria janë bërë ‘leqe-peqe, u shpreh dhëndri i ish-kryeministrit Berisha.
Prej orës 11:00, në Gjykatën e Posaçme, GJKKO vijon seanca e radhës gjyqësore për kryedemokratin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë për privatizimin e klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Në seancën e kaluar, ekipi ligjor i Berishës dhe Malltezit kërkoi pavlefshmëri absolute të hetimeve, të akteve të marrjes si të pandehur, njoftimit të akuzës, akteve të ekspertimit si dhe të çdo prove të paraqitur nga SPAK-u.
Berisha nuk ishte i pranishëm në seancë gjyqësore, por u paraqit në ambientet e SPAK-ut në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Nga aty lideri i opozitës sulmoi prokurorinë dhe drejtuesin e saj, Altin Dumani e akuzoi si puçist që sipas tij, “fle mbi dosjet e krimit”.