Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi ushtrinë amerikane të rifillojë menjëherë testimin e armëve bërthamore, pas një ndërprerjeje 33-vjeçare. Trump e bëri këtë njoftim të papritur në rrjetin Truth Social teksa po udhëtonte në helikopterin presidencial për t’u takuar me liderin e Kinës, Xi Jinping, në Busan të Koresë së Jugut. Ai tha se ka udhëzuar Pentagonin ta testojë arsenalin bërthamor të SHBA-ve “në shkallë të barabartë” me fuqitë e tjera bërthamore.
Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të fillojë testimin e armëve tona bërthamore në mënyrë të barabartë. Ky proces do të fillojë menjëherë. Rusia është e dyta dhe Kina është shumë prapa, por do të na arrijë brenda pesë vjetësh.
Një ligjvënës i lartë rus tha se vendimi i Trump-it do të shënojë një epokë të re pasigurie dhe konfrontimi të hapur, raportoi agjencia shtetërore ruse RIA.
Ministria e Jashtme e Kinës bëri thirrje që Amerika ta respektojë zotimin për pezullimin e testimeve bërthamore e të ruajë ekuilibrin dhe stabilitetin strategjik global. Nuk është e qartë nëse Trump i referohej testimeve me shpërthime bërthamore, që do të kryheshin nga Administrata Kombëtare e Sigurisë Bërthamore apo lëshimit të raketave me koka bërthamore.
Asnjë fuqi bërthamore, përveç Koresë së Veriut, nuk ka kryer testime me shpërthime bërthamore prej më shumë se 25 vitesh. Më vonë, gjatë kthimit për në Uashington, Trump tha se testimet janë të nevojshme për të siguruar që Amerika të mbetet në të njëjtin hap me rivalët bërthamorë.
Meqë të tjerët po kryejnë testime, mendoj se është e përshtatshme që ta bëjmë edhe ne, tha Trump duke shtuar se vendet e testimeve do të përcaktoheshin më vonë.
Kur u pyet nëse bota po hynte në një fazë më të rrezikshme sa i përket armëve bërthamore, Trump e minimizoi kërcënimin, duke thënë se stoqet bërthamore të SHBA-ve janë “shumë të sigurta” dhe shtoi se ai do të mirëpriste çarmatimin bërthamor.
Do të doja të shihja çarmatimin bërthamor, sepse ne kemi shumë armë, Rusia është e dyta dhe Kina e treta. Kina do të na arrijë për katër ose pesë vjet. Në fakt, ne po flasim me Rusinë për këtë dhe Kina do të përfshihet nëse bëjmë diçka.
Vendimi i Trump-it për të rifilluar testimet bërthamore vjen pas zgjerimit të shpejtë të arsenalit bërthamor të Kinës vitet e fundit dhe menjëherë pasi Rusia njoftoi se testoi me sukses një raketë lundruese me koka bërthamore.