Health & Beauty

Pas 6 dekadash, zbulohet se si ilaçi për diabetin ndikon edhe në tru!

Për më shumë se 60 vjet, metformina ka qenë një nga trajtimet kryesore për diabetin e tipit 2, por shkencëtarët ende nuk e kishin kuptuar plotësisht se si funksionon ajo në organizëm. Tani, studiues nga Baylor College of Medicine, në bashkëpunim me kolegë ndërkombëtarë, kanë zbuluar një faktor të papritur pas efekteve të saj; trurin. Zbulimi i tyre tregon se metformina nuk vepron vetëm në mëlçi apo në zorrë, siç besohej më parë, por gjithashtu ndikon në një rrugë të rëndësishme biologjike në tru që ndihmon në uljen e sheqerit në gjak.

“Është pranuar gjerësisht që metformina e ul glukozën në gjak kryesisht duke reduktuar prodhimin e glukozës në mëlçi. Studime të tjera kanë treguar se ajo vepron edhe përmes zorrëve”, tha autori përkatës i studimit, Makoto Fukuda, profesor i asociuar i pediatrisë dhe nutricionit në Baylor.

Studiuesit u përqendruan te një proteinë e vogël e quajtur Rap1, e vendosur në një zonë të trurit të njohur si hipotalamusi ventromedial (VMH). Ata zbuluan se aftësia e metforminës për të ulur sheqerin në gjak, në doza të zakonshme klinike, varet nga frenimi i aktivitetit të Rap1 në këtë zonë specifike të trurit.

Për ta testuar këtë ide, laboratori i Fukudës përdori minj të modifikuar gjenetikisht, të cilëve u mungonte Rap1 në VMH. Këta minj u ushqyen me një dietë të pasur me yndyrë për të simuluar diabetin e tipit 2. Kur u trajtuan me doza të ulëta të metforminës, niveli i sheqerit në gjak nuk u përmirësua. Ndërkohë, trajtime të tjera për diabetin, si insulina dhe GLP-1, vazhduan të funksiononin normalisht.