Danimarka nga 10 shtatori do të jetë një vend pa asnjë masë kufizuese anti-COVID. Qeveria ka vendosur që pas dy javësh të heqë të gjitha masat kufizuese. Për ministrin e shëndetësisë, Magnus Heunicke, COVID-19 nuk është më një kërcënim kritik për shoqërinë, pasi epidemia është nën kontroll.
Danimarka është vendi i tretë më i vaksinuar në Europë me 71% të popullsisë që e kanë përmbyllur procesin. Gjithsesi të vetmet masa që do të mbeten në fuqi në Danimarkë janë ato nga jashtë vendit të paktën deri në tetor. Rikujtojmë, se vendet e Bashkimit Europian mund të përballen me pasoja ligjore për shkak të rekomandimeve për një dozë shtesë të vaksinës kundër koronavirusit.
Kjo për faktin se një dozë përforcuese ende nuk është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). Agjencia ka thënë vazhdimisht se duhet të ketë më shumë të dhëna para se të miratojë përdorimin e një doze shtesë. Deri më tani tetë vende europiane kanë rekomanduar vaksinimin me një dozë shtesë dhe disa të tjera pritet të marrin të njëjtin vendim. Komisioni Europian tha në një deklaratë për “Reuters” se:
Dozat përforcuese aktualisht nuk janë pjesë e autorizimit të vaksinave për COVID-19 dhe ende nuk i janë nënshtruar një vlerësimi shkencor nga EMA në mungesë të të dhënave të mjaftueshme.
Që COVID-19 është një sëmundje shumë e transmetueshme, ky tanimë është një fakt i vërtetuar dhe përhapja e shpejtë e këtij virusi në të gjithë globin gati dy vjet më parë dëshmon për këtë. Ajo që nuk ishte shumë e qartë deri tani ishte se si njerëzit e infektuar përhapin virusin. Ose, kur saktësisht dhe në çfarë mase, njerëzit e infektuar me virusin kanë më shumë gjasa ta përhapin atë tek të tjerët.