Bota

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran!

Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi rezolutën për kompetencat e luftës, që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit Trump, kundër Iranit. Kjo në kohën kur sekretari i Shtetit, Marco Rubio, këmbënguli se operacionet amerikane ndaj Teheranit kanë përfunduar. Dhoma e miratoi rezolutën me 215 vota pro e 208 kundër, me katër republikanë që iu bashkuan demokratëve, në mbështetje të tekstit.

Rezoluta e prezantuar nga Gregory Meeks, udhëzon Trump-in që të largojë forcat e armatosura amerikane nga armiqësitë me Iranin, përveç rasteve kur zyrtarisht, Kongresi shpall luftë apo autorizon përdorimin e forcës.

Kjo masë, tani dërgohet në Senat, aty ku ligjvënësit po shqyrtojnë një rezolutë të ndarë për kompetencat e luftës. Edhe nëse miratohet nga dy dhomat e Kongresit, Trump pritet t’i sfidojë përpjekjet për të kufizuar autoritetin e tij dhe masa e Dhomës së Përfaqësuesve gjerësisht shihet si simbolike sepse nuk e ka fuqinë detyruese ligjore.

Ky votim shënoi kundërshtimin më të fortë të Kongresit deri më tani ndaj konfliktit, i cili ka zgjatur për më shumë se tre muaj dhe ka nxitur shqetësime për pasojat e tij ekonomike e gjeopolitike.

Përmes një deklarate pas votimit, Meeks argumentoi se fushata ushtarake nuk kishte arritur objektivat e saj të shpallura dhe përkundrazi sipas tij, “ka dëmtuar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me programin bërthamor të Iranit”.

Nëse ka bërë diçka, e ka larguar edhe më shumë mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike për programin bërthamor të Iranit.