Qindra gra në Angli me forma të vështira për t’u trajtuar të kancerit të vezoreve do të kenë qasje në një terapi të re që mund të zgjasë jetën e tyre, pasi Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Anglisë (NHS) ka miratuar përdorimin e saj. Bëhet fjalë për ilaçin mirvetuximab soravtansine, i njohur me emrin tregtar Elahere, i cili është trajtimi i parë i ri i aprovuar për kancerin rezistent të vezoreve në më shumë se dy dekada.
Kanceri i vezoreve është lloji i 18-të më i zakonshëm i kancerit në botë, duke prekur mbi 300 mijë gra çdo vit. Mbi 75 për qind e pacienteve diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes, çka e bën trajtimin më të vështirë. Edhe pse trajtimi standard përfshin kirurgjinë dhe kimioterapinë, rreth 80 për qind e pacienteve me sëmundje të avancuar përjetojnë rikthimin e kancerit dhe shumica zhvillojnë rezistencë ndaj kimioterapisë.
Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin e Ekselencës (NICE) ka aprovuar përdorimin e ilaçit për pacientet me kancer epitelial të vezoreve, peritoneumit ose tubave fallopiane, të cilat nuk reagojnë më ndaj kimioterapisë me bazë platini dhe tumoret e të cilave përmbajnë proteinën FRα, objektivi kryesor i trajtimit. Sipas NHS-së, deri në 400 gra çdo vit mund të përfitojnë nga kjo terapi e re, e cila konsiderohet një hap i madh përpara në trajtimin e sëmundjes.
Kanceri i vezoreve konsiderohet një nga kanceret gjinekologjike më të vështira për t’u zbuluar në fazat e hershme. Kjo ndodh sepse simptomat shpesh janë të lehta dhe mund të ngatërrohen me probleme të zakonshme të sistemit tretës ose urinar. Sipas NHS dhe American Cancer Society, ekzistojnë disa shenja kryesore që mund të shfaqen edhe në fazat e para të sëmundjes. Mjekët theksojnë se këto simptoma nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person ka kancer, por nëse shfaqen shpesh ose zgjasin për disa javë, duhet të kontrollohen nga një mjek.