Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bisedoi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe atë të BE-së, për zhvillimet e fundit në vend, një ditë pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, në veri. Po ashtu, takoi Enrico Barduanin, komandantin e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Me ambasadorët, Osmani theksoi se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili cënon sigurinë kombëtare të vendit”.
Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.
Në Kosovë, ministrja Artane Rizvanolli konfirmoi se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri. Siç është bërë e ditur, një shpërthim i regjistruar mbrëmë i shkaktoi dëme kanalit në Varragë të Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji.
Autoritetet kosovare akuzuan Serbinë se qëndron pas sulmit, që u mohua nga Beogradi zyrtar. Nga kanali i sulmuar me eksploziv furnizohen me ujë disa qytete të Kosovës përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike. U vendos edhe të bashkërendohen me KESH-in, për të siguruar energji shtesë që të shmangen reduktime të mundshme.
Presidenti Vuçiç tha se “Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës”, ku nga një shpërthim, mbrëmë u dëmtua një kanal uji i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”. U shkaktuan dëme të konsiderueshme duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë.
Autoritetet kosovare akuzuan Beogradin. Kryeministri Albin Kurti tha se Serbia është përgjegjëse për sulmin në fshatin Varragë të Zubin Potokut që e quajti “kriminal” dhe “terrorist”. Sipas tij ka synuar “të dëmtojë infrastrukturën ndoshta më të rëndësishme” të Kosovës.
Më herët, kryediplomati serb, Marko Gjuriç, tha se Serbia kërkon të gjenden autorët e sulmit në Zubin Potok e vuri në dukje se janë gati të ndihmojnë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “financiarisht apo teknikisht”. Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç u shpreh se “shkatërrimi i kanalit rrezikoi furnizimin me ujë për popullin serb”, që sipas tij “tashmë jeton në kushte të vështira, sidomos në veri të Kosovës”.