Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-të mund të mbështesin një tjetër sulm të madh kundër Iranit, nëse rifillon rindërtimin e programeve bërthamore, si dhe paralajmëroi Hamasin për pasoja të rënda nëse nuk çarmatoset. Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga Amerika dhe fuqi të tjera.
Duke folur krah kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një takimi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump la të kuptohej se Teherani mund të jetë duke punuar për t’i rikthyer programet e armatimit bërthamor, pas bombardimeve të qershorit.
Kam lexuar se ata po zhvillojnë armë e gjëra të tjera dhe nëse po e bëjnë këtë, nuk janë duke i përdorur vendet që ne i shkatërruam plotësisht, por ndoshta vende të tjera, iu tha Trump gazetarëve gjatë një konference për shtyp. Ne e dimë saktësisht se ku po shkojnë, çfarë po bëjnë dhe shpresoj që të mos e bëjnë këtë, sepse ne nuk duam të harxhojmë karburant për B2-shat. Eshtë një udhëtim 37-orësh vajtje-ardhje. Nuk dua të harxhoj shumë karburant.
Trump, i cili muajt e fundit ka përmendur mundësinë e një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin, tha se bisedimet e tij me Netanyahun u përqendruan në përparimin e marrëveshjes së brishtë të paqes në Gaza, që ndërmjetësoi, si dhe në adresimin e shqetësimeve izraelite lidhur me Iranin e Hezbollahun në Liban.
Irani, vend që zhvilloi një luftë 12-ditore me Izraelin në qershor, tha se ka kryer stërvitje raketore, për herë të dytë këtë muaj. Javën e kaluar, kryeministri izraelit Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk po kërkon përballje me Iranin, por se është në dijeni të raportimeve dhe se do të diskutojë me Trump-in lidhur me aktivitetet e Teheranit zyrtar.
Faza e dytë në Gazë?
Trump tha se dëshiron që të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, të arritur në muajin tetor, pas dy vitesh luftime në Gazë. Faza e dytë përfshin vendosjen e forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në enklavën palestineze.
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të mëdha të marrëveshjes dhe nuk duken më afër pranimit të hapave shumë më të vështirë të parashikuar për fazën e ardhshme. Hamasi, i cili nuk pranon të çarmatoset, e ka riforcuar kontrollin pasi trupat izraelite tani qëndrojnë vetëm në gjysmën e territorit të Gazës.