Me moton “Serbia kundër dhunës”, në Beograd u mbajt protesta e radhës. Gjatë tubimit në kryeqytetin serb u paralajmërua se protestat do të radikalizohen nga java e ardhshme nëse kërkesat e protestuesve nuk plotësohen.
Në protestat që nisën pas dy vrasjeve masive që tronditën Serbinë në fillim të majit, protestuesit po kërkojnë shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të Agjencisë së Sigurisë e Informacionit, të anëtarëve të Rregullatorit të Mediave Elektronike dhe drejtuesve të Shërbimit Publik të Serbisë.
Po ashtu po kërkojnë mbylljen e tabloideve që nxisin përhapje të dhunës dhe heqjen e frekuencave kombëtare për televizionet që promovojnë dhunë përmes programeve të tyre.
Gazetari i një radioje serbe, Smiljan Banjaç, i cili mori pjesë në protestën në Beograd tha se “qytetarët vetëm u ofenduan”.
Nëse kërkesat nuk plotësohen, në protestën e radhës ne do të ndërmarrim veprime më konkrete.
Protesta u mbajtën edhe në Novi Sad, Nish e Kragujevc.
Herën tjetër, përveç Beogradit, Nishit e Novi Sadit, edhe dhjetë qytete të tjera do të bllokohen. Ose ndalet dhuna ose Serbia do të ndalet.
Pavle Cicvariç, student në Universitetin e Beogradit, kujtoi se brezat e mëparshëm në vitet ‘90 kishin rrëzuar regjimin që promovonte dhunë.
Ata patën sukses dhe tani na përket neve që ta rrëzojmë po këtë regjim. Studentët nuk do të qëndrojnë më të heshtur, por do të veprojnë ndaj çdo padrejtësie që do t’iu bëhet.
Pasi organizatorët mbajtën fjalime, protestuesit filluan të marshonin përgjatë një autostrade në Beograd. Manifestimet në Serbi thirren nga grupet parlamentare në opozitë, si Partia Popullore, Partia Demokratike dhe koalicioni i Të gjelbërve, të majtë. Por, subjektet opozitare kanë vënë në dukje se protestat nuk janë politike.
Ndërkaq, me kërkesën e 61 deputetëve në Parlamentin e Serbisë nisi diskutimi për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bratisllava Gashiç. Në seancën e tre ditëve më parë, mori pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e cila tha se “absolutisht” nuk do të propozojë shkarkimin e Gashiçit. Sipas shefes së qeverisë, ai po kryen punën me përgjegjësi dhe seriozitet.
Debati parlamentar për këtë çështje do të vazhdojë më 21 qershor. Qeveria serbe akuzon opozitën se po “politizon tragjeditë”.