Britney Spears është shtruar në një qendër rehabilitimi, pasi u arrestua për drejtim automjeti në gjendje të dehur në Kaliforni të SHBA-ve. Përfaqësues të saj konfirmuan se 44-vjeçarja hyri vullnetarisht në trajtim, ndërsa më herët raportohej se ka nisur të punojë me veten, pas incidentit.
Sipas mediave, këngëtarja ka qëndruar esëll që prej arrestimit, duke marrë pjesë në takime të Alcoholics Anonymous. Spears u arrestua më 5 mars kur u ndalua nga policia amerikane gjatë natës, pranë shtëpisë së saj. Sipas raportimeve, makina e artistes lëvizte në mënyrë të çrregullt, duke kaluar nga një korsi në tjetrën dhe me shpejtësi. Ajo u lirua disa orë më vonë.
Në një deklaratë pas lirimit, përfaqësuesit u shprehën:
Ky ishte një incident i pafalshëm. Britney do të marrë hapat e duhur dhe do të respektojë ligjin. Kjo mund të jetë një pikë kthese për jetën e saj dhe familjarët po punojnë për ta mbështetur në këtë periudhë të vështirë.
Këngëtarja pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj, ndërsa burime pranë saj bëjnë të ditur se edhe marrëdhënia me dy djemtë Preston e Jayden është përmirësuar kohët e fundit.
Spears ka kaluar periudhë të gjatë sfidash personale dhe ligjore, përfshirë kujdestarinë shumëvjeçare që përfundoi në vitin 2021 e ky zhvillim konsiderohet si një tjetër hap drejt stabilizimit të jetës së saj.