Pavarësisht pretendimeve të Rusisë se ka pushtuar Bahmutin, vazhdojnë përleshjet e ashpra për kontrollin e qytetit lindor. Në pjesën e Ukrainës të pushtuar nga Rusia, një zyrtar i emëruar nga Moska deklaroi se termocentrali bërthamor i Zaporizhjas u fik dhe po mbështetet në gjeneratorët e energjisë emergjente. Që nga pushtimi rus në shkurt të vitit 2022, impianti është detyruar të operojë me gjeneratorë rezervë, në shumë raste.
Sipas raportit të përditshëm nga Shtabi i Përgjithshëm i forcave ushtarake të Ukrainës, fusha kryesore e betejës në Ukrainën lindore vazhdon të jetë vija e frontit Bahmut-Avdivka-Marinka, në rajonin e Donjeckut. Forcat ukrainase zmbrapsën me sukses 37 sulme të ndërmarra nga trupat ruse 24 orët e fundit.
Forcat e Moskës kryen 52 sulme raketore dhe ajrore që kishin shënjestër objektet ushtarake ukrainase, po ashtu dhe zonat civile.
Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak tha se në rajonin jugor Dnipropetrovsk, sot Rusia kreu një sulm me dron dhe raketa. Por, të 15 dronët dhe katër raketat u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Lysak përmendi se një person u lëndua lehtë dhe pati disa dëme materiale.
Gjatë fundjavës, Rusia pretendoi se kishte marrë kontrollin e Bahmutit, por presidenti Volodymyr Zelensky dhe komandantët ukrainas e kundërshtuan deklaratën, duke theksuar se luftimet vazhdojnë në Bahmut.
Presidenti Vladimir Putin uroi forcat e tij kur Ministria e Mbrojtjes dhe kreu i grupit mercenar Ëagner, njoftuan se morën qytetin. Komandantët ushtarakë ukrainas hodhën poshtë me shpejtësi pretendimet e Rusisë, pasi numri një i forcave tokësore të vendit pohoi se qyteti i Bahmutit mbetet një zonë e kontestuar. Ai shtoi se forcat ukrainase po rrethonin në mënyrë aktive Bahmutin nga periferia, duke përgatitur një kundërsulm.
Dje, gjatë një takimi me udhëheqësit e shtatë vendeve të industrializuara të G7-ës në Hiroshimë të Japonisë për të diskutuar ndihmën e mundshme ushtarake, presidenti Zelensky u pyet nga gazetarët nëse Rusia e ka marrë nën kontroll qytetin. Ai u përgjigj me një “Jo”, por u duk se minimizoi rëndësinë e humbjeve të mundshme.