Partia Demokratike denoncoi një rast të blerjes së votës në Lezhë, për të cilën tha se “një grua u arrestua nga policia”.
Sipas kandidatit për deputet, Gjin Gjoni, një shtetase u kap në flagrancë duke blerë vota për PS-në, por megjithëse është ndaluar, uniformat blu të Lezhës nuk kanë dhënë informacion zyrtar për ngjarjen.
Jam informuar nga qytetarët se nga Policia e Shtetit është ndaluar nje shtetase në Balldre të Lezhës pasi dyshohet është kapur në flagrancë duke blerë vota për llogari të Partisë Socialiste.
Qytetarja me iniciale M.D, punonjëse në një lokal në Balldre është denoncuar dhe është ndaluar në flagrancë, por Policia e Lezhës nuk jep informacion zyrtar për ngjarjen për shkak të presionit me kodin e Manualit 184 më të cilin po përballet, shkruante kandidati i PD-së në faqen e tij në Facebook.
Ky nuk është incidenti i vetëm i kësaj fushate zgjedhore. Deputeti demokrat, Xhelal Mziu dhe nipi i tij u akuzuan për dhunë ndaj një zyrtari të Bashkisë Bulqizë pas një takimi elektoral të PD-së në Ostren dhe rasti i kaloi SPAK-ut.
Bulqizë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh.M., 58 vjeç dhe E.M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K.M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.
Mziu hodhi akuza se strukturat e PS-së po intimidojnë njerëzit që të mos marrin pjesë në takimet elektorale të PD-së.
Lidhur me sherrin në Bulqizë, pas takimit elektoral të PD-së, Policia ka referuar në SPAK materialet edhe për zyrtarin e bashkisë, Kalosh Murra për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”. Në njoftimin zyrtar thuhet:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, për shtetasin K.M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, pasi ndaj tij me datë 25.04.2025, ka bërë kallëzim shtetasi Xh. M., 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili pretendon se gjatë takimit elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, shtetasi K.M., indimidonte pjesëmarrësit në takim.